Që nga ora 07:00 e mëngjesit, janë hapur vendvotimet në të gjitha komunat e Kosovës, duke shënuar fillimin e procesit zgjedhor.
Të drejtë vote kanë 2.092.174 qytetarë, të cilët do të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike gjatë ditës së sotme. Sipas njoftimeve zyrtare, të gjitha përgatitjet e nevojshme janë përfunduar me kohë për të siguruar një proces të rregullt dhe të qetë votimi.
Përveç qendrave të rregullta të votimit, në secilën komunë është organizuar edhe nga një qendër për votim me kusht, për t’u mundësuar votimin qytetarëve që plotësojnë kriteret për këtë formë votimi.
Procesi zgjedhor po zhvillohet në 949 qendra votimi me gjithsej 2550 vendvotime në mbarë vendin. Institucionet përgjegjëse u kanë bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në votim dhe të kontribuojnë në një proces demokratik dhe të rregullt.
Foto: Kosovapress
