UBT News

Kosova ndalon përkohësisht importin e mishit të pulës nga Brazili për shkak të gripit të shpendëve

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se nga data 20 maj 2025, ndalohet përkohësisht importi i mishit të pulës dhe produkteve të shpendëve që vijnë nga Brazili. Kjo masë vjen si pasojë e shpërthimit të gripit të shpendëve (H5N1), i konfirmuar më 16 maj në një fermë komerciale në shtetin Rio Grande të Brazilit.

Sipas AUV-së, qëllimi kryesor i këtij ndalimi është mbrojtja e shëndetit publik në Kosovë dhe parandalimi i përhapjes së gripit të shpendëve në territorin tonë. Gripi i shpendëve është një sëmundje virale shumë ngjitëse për shpendët dhe në raste të rralla mund të kalojë edhe tek njerëzit. Megjithatë, deri më tani nuk ka dëshmi që konsumimi i mishit apo vezëve të shpendëve shkakton infeksion tek njerëzit.

Vendimi i AUV-së është në përputhje me masat e ngjashme të marra nga Bashkimi Evropian, Kina dhe vende të tjera, të cilat gjithashtu kanë pezulluar importin e produkteve të pulës nga Brazili pas shpërthimit të gripit.

Ndalimi i importit do të vazhdojë të jetë në fuqi deri në një njoftim të ri, në varësi të zhvillimeve epidemiologjike në Brazil dhe analizave të mëtejshme të rrezikut nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Exit mobile version