Sot u mbajt takimi me anëtarët e bordit të drejtorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) të cilët përfaqësojnë shtetet anëtare nga Evropa, Amerika, Azia dhe Afrika.
Përfaqësuesit u mirëpritën nga Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Drejtori i BERZH për Ballkanin Perëndimor, Matteo Colangeli, si dhe përfaqësues të Zyrës së BERZh në Kosovë.
Në fjalën e tij hapëse të takimit, Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi ndikimin e BERZh për realizimin e objektivave zhvillimorë të Kosovës. Gjithashtu, Bislimi përmendi disa nga sukseset e arritura nga Kosova, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit.
Ministri Murati theksoi rolin e BERZh në zbatimin e projekteve që nxisin zhvillimin ekonomik, duke përmendur projektet aktuale si ato të tranzicionit energjetik, infrastrukturës dhe mjedisit. Ministri Murati gjithashtu theksoi memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar këtë vit ndërmjet BERZh dhe Qeverisë së Kosovës për zbatimin e strategjisë së BERZh për Kosovën 2022-2027, ku si objektiva të kësaj strategjie janë zhvillimi i sektorit privat, transportit dhe dixhitalizimit.
Nga ana e saj, Ministrja Rizvanolli gjithashtu theksoi se energjia është prioritet i përbashkët i të dyja palëve dhe ndau objektivat në këtë fushë veçanërisht në ndërtimin e kapaciteteve të reja duke siguruar se çmimet e enegjisë mbeten të përballueshme.
Nga ana e tij, Zëvendës Drejtori i BERZh, Jan Willem van den Wall Bake, në emër të bordit të drejtorëve të BERZh potencoi vullnetin dhe gatishmërinë e BERZh për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen duke përmendur disa nga prioritetet e BERZh për investime në Kosovë