UBT News

Kosova me synime të qarta për 2022, kërkon heqjen e vizave

Edhe pse ende nuk njihet nga 5 vende të Bashkimit Evropian, Kosova ka një synim të lartë këtë vit. Qëllimin e bëri të ditur vet kryeministri Albin Kurti, në fund të vitit që sapo e lamë pas.

“Në përputhje me reformat e brendshme dhe në realizim të perspektivës për anëtarësim në BE, ne bëjmë të ditur se vitin që vjen Kosova do të bëjë aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, kishte thënë kryeministri Kurti.

Një veprim i tillë, nga njohësit e integrimeve evropiane po shihet si dëshirë e mirë, por jo mundësi reale.

“Në këtë aspekt unë e shoh si pozitive. Nuk pres që do të ketë rezultat të shpejtë, sigurisht që do të nevojitet një kohë që BE-ja ta mendojë përgjigjen – se çfarë përgjigje do i japë Kosovës, sepse normalisht problemi është te shtetet mos njohëse të BE-së. Dhe si e tillë, BE-ja në përgjithësi nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur”, thotë Besnik Vasolli, ekspert i integrimeve.

Veç pengesës nga vendet që nuk e njohin, Kosova ka edhe shumë punë deri te statusi i kandidatit.

Edhe sikur pengesat politike të mos ekzistonin, sipas njohësve të integrimeve, Kosova është ende larg një synimi të tillë.

“Janë disa procedura që duhet t’i plotësojmë, por është shumë vështirë. Kur të mbërrijmë të Këshilli i Evropës i cili pastaj kërkon atë unanimitetin mes shteteve sepse kur e bën një kërkesë për kandidatët atëherë njoftojnë edhe parlamentet e vendeve anëtare të BE-së. Pra është goxha e komplikuar”, tha Dritëro Arifi, analist.

Kosova vite më parë kishte ndërmarrë hapa të njëanshme edhe sa i përket liberalizimit të vizave, duke nxjerrë udhërrëfyesin për këtë proces, megjithatë ai vazhdon të jetë shteti i vetëm në Ballkan që ende nuk i janë hequr vizat.Euronews.al

Exit mobile version