Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhërarrest ndaj Millan Radoiçiqit dhe 19 serbëve të tjerë për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.
Ata dyshohen se kanë vrarë rreth 106 civilë shqiptarë në Gjakovë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” prokurori special, Ilir Morina.
Ndryshe, Milan Radoiçiq akuzohet edhe për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, sulm për të cilin edhe e ka pranuar përgjegjësinë. Për këtë rast, Gjykata ka lëshuar letërreshtime ndërkombëtar për sigurimin e prezencës së Radoiçiqit dhe të pandehurve tjerë në procedurë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale ngarkon 44 persona fizikë dhe një person juridik “RAD D.O.O”. Listës së të akuzuarve i prin Milan Radoiçiq. /BetimipërDrejtësi