Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla priti sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Luigi di Maio, i cili po qëndron në Kosovë për të përshëndetur trupat italiane që shërbejnë në kuadër të KFOR-it.
Ata diskutuan për situatën aktuale në Kosovë, e sidomos për bashkëpunimin e mirë në shumë fusha mes Kosovës dhe Italisë, dy vende që vazhdojnë të fuqizojnë marrëdhëniet e shkëlqyera mes vete, si dhe për pandeminë.
“Pashmangshëm një prej temave qendrore të takimit ishte situata me pandeminë në të dyja shtetet, ku mora përkrahjen e Ministrit Di Maio për bashkëpunim të ngushtë me Italinë për mundësinë e sigurimit sa më të shpejtë të vaksinës anti-covid 19 për qytetarët tanë. Ai më premtoi se Italia po punon intensivisht me Komisionin Evropian për të krijuar një linjë të veçantë për sigurimin e vaksinave për shtetet e Ballkanit Perëndimor, në pjesën e parë të vitit 2021.Përkrahja nga Italia nuk ka munguar as gjatë periudhës së pandemisë, ku ndihma nga shteti italian si dhe asistenca e Komandës Italiane të KFOR-it në menaxhimin e situatës kanë qenë thelbësore. Gjatë këtij takimi, gjithashtu diskutuam për thellimin e bashkëpunimit në fusha të tjera me rëndësi strategjike, veçanërisht në atë të mbrojtjes, përkrahjes së mëtejme për fuqizimin e rinisë së mrekullueshme të Kosovës”, shkroi Haradinaj-Stublla në Facebook./UBTNews
Ishte kënaqësi e veçantë të mirëpres në Prishtinë sot Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të…
Posted by Meliza Haradinaj-Stublla on Wednesday, December 30, 2020