UBT News

Kosova ka 182 mijë banesa të pabanuara

Sipas të dhënave më të fundit nga regjistrimi i popullsisë të vitit 2024, që janë publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), rezulton se në Kosovë janë gjithsej 182,849 banesa të pabanuara. Ky rezultat tregon një rritje të ndjeshme të numrit të banesave të pabanuara, krahasuar me regjistrimin e fundit të popullsisë të vitit 2011, kur ky numër ishte 99,808.

Komuna e Prishtinës është ajo që ka numrin më të madh të banesave të pabanuara, me gjithsej 25,195 banesa të tilla, pasuar nga komuna e Prizrenit, me 16,842 banesa dhe komuna e Ferizajt, me 15,228 banesa të pabanuara.

Të dhënat e reja gjithashtu tregojnë një rritje të numrit të përgjithshëm të ndërtesave dhe banesave. Sipas ASK-së, janë regjistruar 274,116 ndërtesa që përmbajnë të paktën një banesë të banueshme, një rritje prej 26,167 ndërtesash krahasuar me vitin 2011. Numri i përgjithshëm i banesave është gjithashtu rritur, duke kaluar nga 312,711 në vitin 2011 në 556,779 në vitin 2024.

Për më tepër, të dhënat e regjistrimit të popullsisë të vitit 2024 zbuluan se Kosova ka një popullsi prej 1,602,515 banorësh rezidentë, një shifër që është 150 mijë më e ulët se sa në regjistrimin e vitit 2011.

Këto të dhëna ofrojnë një pasqyrë të detajuar mbi ndryshimet demografike në Kosovë, duke ndihmuar në analizimin e struktures së popullsisë, gjendjes ekonomike të familjeve, statusit të aftësisë së kufizuar dhe ndarjes gjinore, mes të tjerash./UBTNews/

Exit mobile version