Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se është nënshkruar një kontratë kornizë me kompaninë amerikane të industrisë ushtarake, AM General, për furnizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës me sisteme moderne të artilerisë mobile.
Sipas Maqedoncit, kontrata përfshin blerjen e sistemeve HUMVEE Hawkeye 105mm Mobile Howitzer (MHS), të cilat konsiderohen ndër mjetet më moderne të artilerisë mobile. Përveç tyre, marrëveshja përfshin edhe automjete moderne mbështetëse, pjesë rezervë, mirëmbajtje, si dhe trajnime për operimin dhe mirëmbajtjen e këtyre sistemeve.
Ai theksoi se me këtë blerje, ushtria e Kosovës po hyn në një fazë të re zhvillimi, duke rritur ndjeshëm fuqinë e zjarrit dhe aftësinë për qitje në distanca të largëta.
“Me këtë blerje, ushtria jonë po kalon në një fazë tjetër zhvillimi, atë të rritjes së fuqisë së zjarrit direkt për qitje në distanca të largëta“, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas tij, bashkëpunimi me një prodhues të njohur amerikan dëshmon orientimin strategjik të Kosovës dhe angazhimin për rritjen e sigurisë kombëtare, duke kontribuar njëkohësisht në stabilitetin afatgjatë të rajonit.
