Filimisht po hynte flota ajrore e NATO-s. Me to po barteshin edhe disa nga mjetet ushtarake tokësore, që do t’u nevojiteshin këmbësorisë së NATO-s që po bëheshin gati të futeshin në territorin e Kosovës.
E kjo është njëra ndër pamjet e para kur arrijnë trupat e Aleancës Veriatlantike më të fortë ushtarake.
Me të hyrë në vend, ky ishte gëzimi që popullata shqiptare e Kosovës e patën kur panë automjetet e para të KFOR-it.
Kur forcat e NATO-s vetëm kishin nisur të shpërndaheshin nëpër territorin e Kosovës, ata jo rrallëherë u përballën edhe me ushtarakët serbë të cilët kishin marrë urdhrin të largoheshin nga Kosova.
I tillë ishte edhe rasti i gjeneralit gjerman, Helmut Harff, i cili iu dha kohë forcave serbe të largohen nga Prizreni për 30 minuta. Pasi ata fillimisht kishin refuzuar të bënin këtë.
Konflikti në Kosovë kishte filluar në fillim të viteve 1990, kur tensionet etnike dhe politike midis shqiptarëve të Kosovës dhe autoriteteve serbe u rritën.
Shqiptarët, që përbënin shumicën e popullsisë, kërkonin më shumë autonomi dhe më vonë pavarësi nga Serbia përmes luftës së armatosur, ndërsa regjimi serb i udhëhequr nga Sllobodan Millosheviç Ishte i vendosur të mbante kontrollin mbi këtë rajon.
Kjo bëri që në mars të vitit 1999, NATO të nis një fushatë bombardimesh 78-ditore kundër objektivave serbe për të ndalur dhunën dhe për të detyruar Millosheviçin të tërhiqej nga Kosova.
Më në fund, më 10 qershor 1999, Millosheviçi pranoi kushtet e marrëveshjes ndërkombëtare dhe u tërhoq nga Kosova, duke lejuar hyrjen e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare.
Në një prononcim për UBTneës, historiani Ibrahim Gashi, thotë se deri te 12 qershori erdhi si rezultat i dështimit të Bashkësisë Ndërkombëtare që përmes mjeteve paqësore të ndalë luftën në Kosovë. Andaj sipas tij, 12 qershori i vitit 1999, është data më e rëndësishme për popullin shqiptar të Kosovës.
“12 qershori i vitit 1999 paraqet datën më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar të Kosovës, kjo datë paraqet fundin e luftës së lavdishme, çlirimin e Kosovës, hyrjen e trupave të NATO–s dhe fillimin e një procesi të rëndësishëm të përgatitjes së Kosovës drejt definimit të statusit së saj drejt pavarësisë së saj”, deklaroi Gashi.
Kthesa më e madhe që dërgoi në ndërhyrjen e NATO-s, Gashi thotë se ishte deklarata e famshme e ambasadorit William Walker, gjatë vizitës që kishte në vendin ku ndodhi masakra e Reçakut.
“Ndoshta kthesa më e madhe ka ndodhur te masakra e Reçakut, kur ambasadori William Walker ishte shef i emisionit të OSBE – së në Kosovë ishte vetë prezent, i pa trupat dhe siç e bëjnë të ditur argumentet e reja të klasifikuara amerikane ai nuk priti ndonjë urdhër nga lart se si ta kualifikojë por siç e thojnë disa autorë fare pa tone, pa takt diplomatik ai e bëri atë deklaratëne e famshme se këtu bëhet fjalë për një masakër të cilën e morën televizionet e botës”, tha ai.
Gashi tha se kjo ditë duhet të hyjë në festat zyrtare duke pasur parasysh rëndësinë e padiskutueshme që ka për popullin tonë.
“Ne e kemi shumë të shenjtë dhe me simbolikë shumë të madhe sepse në Kosovë krahas Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në qytete kanë hyrë edhe forcat ndërkombëtare të aleancës më të madhe veriatlantike dhe normalisht që ato pamje që janë ruajtur sot ato imazhe të atij gëzimi të madh, do të duhej me u kodifiku me një datë festive të pushimit përkatësisht të festës”, tha ai.
Me 12 qershor të vitit 1999 në Kosovë hynë rreth 50 mijë trupa të KFOR-it, nga 39 kombe të ndryshme të botës. Teksa edhe aktualisht edhe trupat e NATO-s vazhdojnë të kontribuojnë në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt në Kosovë./UBTNews/
Teksti: Fjolla Gashi