Ekipi përfaqësues i Kosovës është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për pjesëmarrjen në FIRST Global Challenge 2024, që do të zhvillohet në këtë muaj në Greqi. Aktivitetet e përgatitjes kanë filluar disa muaj më parë në laboratorët inovativë të mekatronikës në Universitetin “UBT”, ku ekipi ka punuar në ndërtimin e robotit për këtë garë prestigjioze.
Kosova do të përfaqësohet në mesin e 200 vendeve pjesëmarrëse falë mbështetjes dhe punës së palodhur të studentëve dhe ekspertëve nga UBT. Ekipi i të rinjve të pasionuar për shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë do të sfidojë aftësitë e tyre në fushën e robotikës dhe teknologjisë.
Mentorja e ekipit, Elita Hajrizi, ka theksuar se përgatitjet janë në fazën e fundit dhe se ekipi është i përgatitur me një robot inovativ për garën. Ajo shprehu entuziazmin e saj për mundësinë e prezantimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke theksuar se çdo moment i këtij procesi është i veçantë dhe i paharrueshëm.
Tema e këtij edicioni të garës është “Feeding the Future”, që fokusohet në prodhimin dhe konsumimin e qëndrueshëm të ushqimit. Ekipi përfaqësues i Kosovës do të vazhdojë përgatitjet në UBT, duke u mbështetur nga ekspertët më të mirë në fushën e robotikës dhe mekatronikës.
Për më tepër, UBT është vlerësuar për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin e STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë) dhe për mbështetje ndaj misionit të FIRST Global Challenge. Kjo njohje e bën UBT-në një lider në promovimin e inovacionit dhe edukimit teknik në nivel ndërkombëtar.