UBT News

Kosova dhe mirazhi i shtetit të mirëqenies

Shtet i Mirëqenies Sociale quhet shteti që kujdeset të sigurojë një jetesë të përshtatshme për shtetasit, me synimin e arritjes së mirëqenies së përgjithshme të tyre. Nocioni i “Shtetit të Mirëqenies Sociale” përdoret edhe për të përshkruar politikat qeveritare dhe, në mënyrë të veçantë, institucionet përmes të cilave realizohet synimi i mirëqenies. Një përkufizim tjetër ka për bazë konceptimin e dijetarit të shquar britanik Uilliam Beverixh. Sipas tij, shteti i mirëqenies është ai që vendos të luftojë disa nga të këqijat e njerëzimit për arritjen e një mirëqenieje të përgjithshme, ku secili të ketë para të mjaftueshme, shëndet të mirë, kushte të mira strehimi, arsimim të mirë dhe punësim të rregullt.

Duke pasur për bazë konceptimin e sotëm, si dhe përkufizimet e përmendura, mund të arrihet në përfundimin për dy tipare thelbësore të Shtetit të Mirëqenies Sociale. I pari kushtëzon ndërhyrjen në një shkallë ose masë të gjerë të shtetit në sferën e jetës ekonomike dhe sociale, dhe kështu mirëqenia sociale bëhet pjesë integrale e funksionit të shtetit. I dyti parashtron kategorinë e të drejtave të individit në sferën ekonomike e sociale, me fjalë të tjera, e drejta sociale si një e drejtë natyrore e padiskutueshme e njeriut.

Sipas T. H. Marshall, të drejtat e njeriut janë të lidhura drejtpërdrejt me funksionin social të shtetit. Për të, shteti i mirëqenies sociale, në rrethanat e shtresëzimit social, sjell një ndihmesë të madhe në zvogëlimin e dallimeve klasore dhe ndikon në eliminimin e shkaqeve thelbësore të luftës së klasave, kooperon klasën punëtore me shtetin ekzistues, transformon “konfliktin klasor” në “konkurrencë të statusit”. Me garantimin e të drejtave sociale plotësohet i gjithë kuadri i të drejtave dhe i lirive të individit. Çfarëdo shkelje e të drejtave sociale shkakton pabarazi në shoqëri dhe, rrjedhimisht, shkelje të të drejtave civile, pasi që pabarazia cenon rrënjësisht dinjitetin njerëzor, i cili është gurthemeli i të drejtave të njeriut.

Shteti i mirëqenies në Skandinavi dhe Finlandë

Modeli i shtetit të mirëqenies në vendet skandinave si Suedia, Danimarka, Norvegjia, por edhe në Finlandë, përfaqëson një nga qasjet më gjithëpërfshirëse ndaj mirëqenies sociale, duke prioritetizuar universalizmin, barazinë dhe një rol të fortë të shtetit në sigurimin e mbrojtjes sociale për të gjithë qytetarët. Qëllimi kryesor i këtij modeli është promovimi i barazisë së mundësive, reduktimi i pabarazisë dhe sigurimi i një standardi të lartë jetese për të gjithë qytetarët, pavarësisht nga të ardhurat ose statusi i tyre social. Një nga veçoritë kryesore të këtij modeli është përkushtimi ndaj universalizmit. Përfitimet e mirëqenies, duke përfshirë kujdesin shëndetësor, arsimin, pensionet, mbështetjen për papunësinë dhe shërbimet e tjera sociale, janë të disponueshme për të gjithë qytetarët, pavarësisht nga të ardhurat apo statusi i punësimit. Përfitimet universale promovojnë solidaritetin midis popullatës, pasi të gjithë kontribuojnë dhe përfitojnë nga sistemi, gjë që redukton stigmën e lidhur me marrjen e ndihmës sociale dhe rrit mbështetjen publike për sistemin. Sistemet e kujdesit shëndetësor universal sigurojnë qasje në shërbime mjekësore për të gjithë qytetarët, duke e trajtuar kujdesin shëndetësor si një të drejtë bazë dhe jo si një mall. Arsimi publik, nga shkolla fillore deri në arsimin e lartë, është plotësisht i financuar nga shteti, duke siguruar qasje të barabartë në mundësitë arsimore. Shumë vende skandinave ofrojnë arsimin universitar falas, duke e bërë më të lehtë për individët nga të gjitha sfondet shoqërore të ndjekin arsimin e lartë dhe të përmirësojnë lëvizshmërinë e tyre socio-ekonomike. Këto shtete të mirëqenies ofrojnë pensione publike bujare që sigurojnë një standard të rehatshëm jetese gjatë daljes në pension, duke siguruar të ardhura të besueshme për të gjithë qytetarët në pleqëri, pavarësisht nga statusi i tyre i mëparshëm i punësimit apo fitimet e tyre. Në këto shtete, qeveria luan një rol proaktiv në formësimin e mirëqenies së qytetarëve të saj duke qenë përgjegjëse për ofrimin e një game të gjerë shërbimesh publike, nga kujdesi shëndetësor dhe arsimi deri te kujdesi për fëmijët dhe të moshuarit. E gjithë kjo është siguruar në mënyrë graduale dhe me aplikimin e taksave progresive krahas zhvillimit të përgjithshëm ekonomik. Kjo ka siguruar një buxhet të fuqishëm të shtetit, por edhe një rishpërndarje të madhe të mjeteve të inkasuara nga shteti.

Model të përafërt, me disa dallime, kanë edhe shtetet tjera të Evropës perëndimore dhe pjesërisht asaj qendrore, megjithatë jo të avancuar në përmasat e shteteve skandinave dhe Finlandës.

Përpjekjet e Kosovës për ndërtimin e shtetit të mirëqenies

Një nga mangësitë kryesore të kornizës ligjore për të siguruar barazi sociale në Kosovë është edhe mospërfshirja e Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Sociale, Ekonomike dhe Kulturore në kuadër të Kushtetutës së Kosovës. Është bërë përpjekje që kjo mangësi të kompensohet nëpërmjet të drejtave sociale të garantuara nga kapitulli i II-të i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Megjithatë, kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për të përmbushur as standardet minimale të shtetit të mirëqenies duke lënë mangësi në të gjitha komponentët e mirëqenies: sigurimi shëndetësor dhe sigurimi ndaj sëmundjeve; sigurimi i nënave me fëmijë (kompensimi për fëmijë); sigurimi i papunësisë; kompensimet familjare (shtesa familjare); sigurimet për dëmtimet në punë; sigurimi i invaliditetit; sigurimi i paaftësisë për punë. Të gjitha këto komponentë janë trajtuar kalimthi dhe sipërfaqësisht, duke mos arritur të adresojnë as edhe standardet minimale për një jetë të dinjitetshme të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Rrjedhimisht, vendi ynë është duke u ballafaquar me një migrim të fuqishëm drejt vendeve të Evropës perëndimore dhe asaj veriore. Nga shumë studime dhe anketime, të zhvilluara që nga viti 2014 e deri më sot, theksohet se pjesa dërmuese e të migruarve nga Kosova motiv kryesor kishin pasigurinë sociale që mbretëron në Kosovë. Madje një pjesë e madhe e tyre kishin edhe marrëdhënie të rregullta të punës në Kosovë.

E ardhmja e shtetit të mirëqenies në vendin tonë

Si një nga masat e propozuara nga institucionet shtetërore të Kosovës për të përmbushur kërkesat sociale të qytetarëve ishte edhe aplikimi i taksës progresive sipas modelit skandinav. Kjo do të siguronte arkëtim më të madh të mjeteve financiare në buxhetin e Kosovës, por edhe, me gjasa të mëdha, në këtë stad të zhvillimit ekonomik të Kosovës, do të shkaktonte edhe mbylljen e një numri të madh të bizneseve të Kosovës. Sipas të gjitha analizave të bëra nga njohës të ekonomisë, zgjidhja duhet kërkuar në luftimin e evazionit fiskal dhe informalitetit në Kosovë, me fokus të veçantë në fiskalizimin e çfarëdo veprimtarie ekonomike dhe fitimprurëse. Kjo do të dyfishonte buxhetin e Kosovës duke rritur kapacitetin rishpërndarës të mjeteve për kategoritë e ndryshme shoqërore. Ndërsa aplikimi i taksave progresive të mbetet si zgjidhje permanente pas fuqizimit ekonomik të vendit në një të ardhme afatmesme.

Shkruan: Prof. Dr. Avni H. Alidemaj

(Profesor i shkencave politike dhe juridiko-administrative)

Exit mobile version