UBT News

Kosova dhe Mbretëria e Arabisë Saudite arrijnë marrëveshje doganore

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka njoftuar se sot kanë nënshkruar Marrëveshjen për Bashkëpunim Doganor me Ministrin e Financave të Arabisë Saudite, Mohammed Al Jadaan.

“Marrëveshjen e nënshkruam në ceremoninë hapëse të Konferencës Ndërkombëtare për Zekatin, Tatimin dhe Doganat 2024, ku po marrim pjesë bashkë me Drejtorin e Doganave Agron Llugaliu dhe atasheun doganor Bekim Mehmetaj”, ka shkruar Murati.

Sipas tij, kjo marrëveshje, që adreson çështjet doganore dhe është në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare, përfaqëson një hap të madh përpara në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

“Duke përafruar bashkëpunimin tonë shumë dimensional në fushën e Doganave, marrëveshja do të kontribuojë në lehtësimin e tregtisë, përmirësimin e sigurisë dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik. Republika e Kosovës vazhdon të ndërtojë partneritete që sjellin përfitime të prekshme për ekonominë dhe qytetarët tanë, dhe njëkohësisht forcojnë lidhjet tona me shtetet mike”, ka shkruar Murati në Facebook.

Exit mobile version