UBT News

Kosova dhe Maqedonia e Veriut me një tjetër pikëkalim të përbashkët

Nga sot, më 28 maj, edhe pika kufitare Glloboçicë – Jazhincë mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut do të funksionojë me vetëm një kontroll kufitar, duke lehtësuar qarkullimin ndërmjet dy vendeve.

Në orën 14:00 pritet të bëhet inaugurimi zyrtar i kësaj pike të përbashkët kufitare, që është e dyta e këtij lloji pas asaj të Hanit të Elezit – Bllacë, e cila u inaugurua në muajin prill.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, në këtë ceremoni do të marrin pjesë ministrat e brendshëm të të dyja shteteve dhe zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti.

“Ky pikëkalim i përbashkët është njëri nga dy pikat kufitare të parashikuara në Protokollin e Implementimit të Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për pikat kufitare Hani i Elezit – Bllacë dhe Glloboçicë – Jazhincë, të nënshkruar në nëntor 2024 gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive”, thuhet në komunikatën e MPB-së.

Ky zhvillim pritet të kontribuojë në rritjen e bashkëpunimit ndërkufitar, rritjen e efikasitetit të kontrollit kufitar, si dhe në lehtësimin e lëvizjes së lirë për qytetarët dhe mallrat.

Exit mobile version