Kosova dhe Gjermania kanë zhvilluar konsultimet zyrtare për Bashkëpunimin Zhvillimor, gjatë periudhës 26–30 tetor, me fokus në tri fusha kryesore: zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, energjinë dhe klimën, si dhe qeverisjen e mirë.
Sipas njoftimit të Ambasadës Gjermane në Kosovë, delegacioni gjerman u kryesua nga Dr. Micong Klimes, përfaqësuese e Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ).
Në delegacion morën pjesë edhe Daniel Alker, shef i Bashkëpunimit për Zhvillim në Ambasadën Gjermane, Markus Delfs, drejtor i GIZ-it në Kosovë, Moritz Remé, shef i zyrës së KfW-së, si dhe përfaqësues të tjerë të këtyre institucioneve.
Gjatë vizitës, delegacioni zhvilloi takime me ministritë partnere, ku u diskutua për bashkëpunimin aktual, prioritetet e ardhshme dhe angazhimet e planifikuara ndërmjet dy vendeve.
Dr. Klimes mori pjesë gjithashtu në Forumin e 3-të Ekonomik Kosovaro-Gjerman, ku ishte pjesë e një paneli diskutimi për diasporën e bizneseve kosovare në Gjermani, potencialin e saj për të nxitur investimet dhe forcimin e lidhjeve ekonomike mes dy vendeve.
Ambasada Gjermane bëri të ditur se vizita shërbeu edhe për prezantimin e rezultateve konkrete të bashkëpunimit në disa sektorë.
Në fushën e zhvillimit të aftësive profesionale, përmes Fondit Rajonal të Sfidave janë ndarë 2.1 milionë euro për pesë projekte të aftësimit profesional në sektorë si teknologjia e informacionit dhe komunikimit, siguria kibernetike dhe përpunimi i ushqimit.
Ndërkaq, në fushën e punësimit dhe ndërmarrësisë, 99 pjesëmarrës janë trajnuar në agrobiznes dhe energji solare, ndërsa pesë prej tyre kanë përfituar grante për zhvillimin e ideve të tyre të biznesit.
Bashkëpunimi përfshin edhe efiçiencën e energjisë, përmes mbështetjes për forcimin e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe zgjerimin e investimeve në efiçiencën energjetike dhe energjinë e pastër.
Një tjetër fushë është menaxhimi i qëndrueshëm i mbeturinave, ku po mbështeten pesë komuna të rajonit të Dukagjinit për zhvillimin e një sistemi të integruar të menaxhimit të mbeturinave.
Ambasada Gjermane e cilësoi këtë si një partneritet të fuqishëm, që synon përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve dhe avancimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, duke rikonfirmuar përkushtimin e Gjermanisë për vazhdimin e bashkëpunimit me vendin.
/A.K/
