UBT News

Kosova debuton në lojërat Paralimpike “Paris 2024”

Kosova ka shënuar njër ndër momentet më të rëndësishme në historinë e sportit të saj. Në mesin e mbi 50 mijë shikuesve nga mbarë bota, për herë të parë, flamuri i Kosovës ka valuar në ceremoninë hapëse të Lojërave Paralimpike “Paris 2024”.

Ceremonia hapëse u zhvillua në sheshin Place de la Concorde dhe Champs-Elysées në Paris, me fillim nga ora 20:00, e ku defiluan gjithsej 166 shtete nga mbarë bota. Ky moment njëherësh shënon edhe debutimin e Kosovës në lojërat më prestigjioze të para sportit botëror, synim i kahershëm i parasportit kosovar.

Në këtë ngjarje madhështore të parasportit, vendi ynë përfaqësohet nga paraatleti Grevist Bytyqi, i cili do të garojë në sportin e atletikës, në kategorinë T46, në disiplinën 1500 metra. Në këtë rrugëtim sfidues, Grevisti është i shoqëruar nga presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini, trajneri Adrian Mazreku dhe shefja e misionit, Arjeta Gashi.

Pjesëmarrja e Kosovës në këto lojëra u mundësua falë anëtarësimit të vendit tonë në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar vitin e kaluar, moment që i hapi rrugën përfshirjes së parasportistëve tanë në këtë ngjarje madhore, e cila simbolizon përfshirjen, barazinë dhe fuqinë e sportit për të kaluar çdo pengesë.

Në lojërat e sivjetme botërore të parasportit, të cilat zgjasin 11 ditë, do të marrin pjesë 4,400 paraatletë në gjithsej 22 parasporte.

 

Exit mobile version