“Epoka e ngrohjes globale ka mbaruar, është koha për epokën e vlimit global” paralajmëron Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara. Korriku është muaji më i nxehtë i regjistruar në planet.
“Nuk kemi nevojë të presim deri në fund të muajit për ta zbuluar. Nëse nuk ka një mini epokë akullnajash në ditët në vijim, korriku 2023 do të thyejë të gjitha rekordet”, u tha Antonio Guterres gazetarëve në New York.
“Ndryshimi i klimës është këtu. Është i tmerrshëm. Dhe ky është vetëm fillimi. Epoka e ngrohjes globale ka mbaruar, tani është koha për epokën e vlimit global”, shtoi ai.
“Për disa pjesë të mëdha të Amerikës së Veriut, Azisë, Afrikës dhe Evropës, kjo verë është mizore. Për të gjithë planetin, është një fatkeqësi”.
Përballë kësaj situate katastrofike, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së përsëriti thirrjet e tij për veprim radikal dhe urgjent, duke sulmuar edhe një herë sektorin e karburanteve fosile./UBTNews/