Wang Jibing, një korrier ushqimi 56-vjeçar nga Kina, ka fituar Çmimin Letrar “Lu Xun”, një nga vlerësimet më prestigjioze në letërsinë kineze, me përmbledhjen poetike “Low Flight”.
Libri është frymëzuar nga përvojat dhe sfidat e përditshme të korrierëve të ushqimit, ndërsa shumë prej poezive janë shkruar mes porosive, në copa letre gjatë orarit të punës.
Wang, i cili punon si korrier që nga viti 2019, u bë i njohur në rrjetet sociale falë poezive dhe eseve të tij. Në vitin 2023 ai botoi librin e parë me poezi, ndërsa “Low Flight”, i publikuar në vitin 2024, bazohet edhe në intervista me rreth 200 korrierë.
Pavarësisht çmimit, Wang ka thënë se nuk planifikon të heqë dorë nga puna si korrier.
“Nuk kam nevojë për këtë punë për të jetuar, por më pëlqen atmosfera e saj dhe më mban në formë. Dua një jetë të thjeshtë dhe ky çmim nuk do të më ndryshojë”, është shprehur ai.
Fitorja e tij konsiderohet një tjetër shembull i vlerësimit në rritje të autorëve nga shtresa punëtore në Kinë, të cilët përmes letërsisë sjellin historitë dhe sfidat e jetës së përditshme./BBC//A.K/
