Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar sot se puna për projektin e “Korridorit Blu” ka hyrë në fazë konkretizimi.
Rama këtë e bëri të ditur përmes një postimi në Facebook, ku ka ndarë edhe informacione të tjera lidhur me këtë rrugë, ku ka thënë po ashtu se janë të vetëdijshëm që rritja e fluksit të vizitorëve në këtë sezon turistik ka rënduar situatën e trafikut.
“I ndjekim me vëmendje ankesat e mirëkuptueshme të drejtuesve të automjeteve në aksin Shkodër – Tiranë këtë verë dhe jemi shumë të vetëdijshëm për faktin që rritja marramendëse e fluksit të vizitorëve në këtë sezon fantastik për industrinë e turizmit, e ka rënduar edhe më shumë se zakonisht situatën e trafikut përgjatë këtij aksi, sidomos në segmentin Milot – Kashar. Shpërblim i madh i përpjekjeve tona këmbëngulëse ky moment shpërthyes për turizmin, por shumë ndjesë për pasojën e këtij zhvillimi të shumëpritur, të cilën do ta vuajmë edhe për disa kohë në mungesë të Korridorit Blu”, ka shkruar ai.
Porse, sipas kryeministrit shqiptar, lajmi i mirë është se autostrada ka hyrë në një fazë konkretizimesh.
“Lajmi i mirë është se puna e gjithanshme, me projektime dhe financime, për ta lidhur Shqipërinë Perëndimore nga veriu në jug me Korridorin Blu, një autostradë e mirëfilltë e standardeve europiane, ka hyrë më në fund në një fazë konkretizimesh po aq të shumëpritura sa edhe zhvillimi i mëtejshëm spektakolar i industrisë së turizmit”, ka shkruar ai mes tjerash.