Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korencia ka reaguar pas rrahjes në Kuvend, duke thënë se është e papranueshme që të ndodhin skena të tilla.
Korenica ka thënë se deputetët duhet të përleshen me gjuhën e argumentit sa i përket kundërshtimeve politike dhe jo me atë të forcës.
Deputeti nga partia në pushtet, Korencia para mediave nuk mohoi se veprime provokuese ka pasur edhe në kohën sa kanë qenë në opozitë, mirëpo shtoi se përleshjet fizike siç ndodhën sot, nuk do të duhej të ndodhnin asnjëherë në Kuvend.
I njëjti tha se kjo në arenën ndërkombëtare do t’i kushtojë shumë mbarëvajtjes së hapësirës brenda Kuvendit.
“Natyrisht se ngjarja është shumë e papëlqyeshme dhe skena të tilla nuk do duhej të ndodhnin në Kuvend. Deputetët duhet të përleshen me gjuhën e argumentit sa i përket kundërshtimeve politike që mund t’i kenë karshi pozitës, pra opozita. Kjo në arenën ndërkombëtare do t’i kushtojë bajagi shumë mbarëvajtjes së hapësirës brenda Kuvendit që do duhej të ishte për të gjitha institucionet e tjera si do duhej të silleshin përbrenda, sepse në fund jemi përfaqësues të qytetarëve. Uroj që kjo të jetë një e kaluar e hidhur, por mos të përsëritet më. Brenda Kuvendit duhet të flasim me gjuhën e argumentit dhe jo të forcës, sepse kjo nuk i shërben askujt, aq më pak shtetit tonë i cili me të gjitha mundimet e sakrificat ku kemi ardhur në këtë situatë po mundohemi t’i tejkalojmë barrierat që kemi përpara”, tha Korenica.
Korenica ka kërkuar nga të gjithë deputetët që të kontribuojnë për të mirën e vendit, dhe të sillen në mënyrë të civilizuar brenda përgjegjësive që kanë si përfaqësues të popullit. Ndërkaq, për veprimet e ditës së sotme, ai tha se janë organet kompetente që do t’i gjykojnë.
Sipas tij, është e pranueshme që dikujt të mos i pëlqej shtrimi i sovranitetit në mënyrë të plotë në Kuvend.
“Nuk isha prej fillimit, dhe nuk është në përgjegjësinë të gjykojë, sepse janë organet që do gjykojnë gjithë çfarë ka ndodhur brenda. Duhet të sillemi në mënyrë të civilizuar brenda përgjegjësive që kemi si përfaqësues të popullit. Provokime do ketë çdoherë. Sigurisht se dikujt mund të mos i pëlqej shtrimi i sovranitetit në mënyrë të plotë në Kuvend, dikush edhe e sheh ndryshe ndoshta veprimin e Qeverisë, por natyrisht që nuk kërkojmë të mendojë njëjtë, megjithatë të mundohemi secili prej nesh të japim kontributin tonë në mënyrë që vendi të ec përpara”, vijoi Korenica.
Korencia tha se provokime të ndryshme ka pasur edhe në kohën sa ka qenë qeveria në opozite, mirëpo sipas tij, përleshjet e tilla fizike nuk do duhej të ndodhnin më.
“Provokime ka pas nga fillimi seancës, nuk them se ka filluar nga zëvendëskryeministrit. Pra, vendosja e fotografisë është provokim. Nuk po mohoj çfarë ka ndodhur në të kaluarën, ne kemi gjuajt edhe me vezë në të kaluarën e me sprej… Përleshjet fizike në asnjë formë nuk do duhej të ndodhnin në Kuvend”, tha mes tjerash Korenica.
Duke folur për përleshjet që ndodhën në Kuvend, Korenica tha se pas pauzës rrjedha e seancës do duhej të kthehet në normalitet.