Koreja e Veriut konfirmoi rastet e saj të para me Covid të enjten dhe menjëherë shpalli një “urgjencë serioze”, me udhëheqësin Kim Jong Un që urdhëroi bllokime në të gjithë vendin.
Vendi nuk kishte pranuar kurrë një rast të Covid-19 dhe qeveria kishte vendosur një bllokadë në kufinjtë e tij që nga 2020. Megjithatë, mostrat e marra nga pacientët e sëmurë me ethe në Phenian “përkonin me variantin Omicron BA.2”, njoftoi Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve.
Kim “u bëri thirrje të gjitha qyteteve dhe qarqeve të të gjithë vendit që të mbyllin tërësisht zonat e tyre”.
Kim tha se qëllimi ishte“shërimi i shpejtë i të infektuarve në mënyrë që të zhdukej burimi i përhapjes së virusit”, sipas KCNA.
Sipas tij, Koreja e Veriut do të “kapërcejë situatën aktuale të papritur dhe do të fitojë në punën e emergjencës për parandalimin e epidemisë”.
Nga raporti i KCNA ishte e paqartë se sa infeksione Covid ishin zbuluar./UBTNews/