Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka deklaruar se Pheniani do të rrisë ndjeshëm arsenalin e tij bërthamor, sipas raportimeve nga agjencia shtetërore KCNA. Kim ka theksuar se Koreja e Veriut po ndjek një politikë të avancuar për ndërtimin e forcave të armatosura bërthamore dhe planifikon të rrisë numrin e armëve bërthamore në mënyrë eksponenciale.
Kim ka akuzuar forcat “armiqësore” për synimin e sulmeve ndaj Koresë së Veriut me armë bërthamore, por nuk ka specifikuar cilat shtete janë përfshirë dhe nuk ka paraqitur prova konkrete.
Sipas Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes në Stokholm, Koreja e Veriut ka aktualisht rreth 50 koka bërthamore, ndonëse numri i saktë nuk është i konfirmuar. Ky vend është nën sanksione ndërkombëtare të ashpra për shkak të programit të tij bërthamor dhe ka kryer testin e fundit bërthamor më 2017.
Tensionet në Gadishullin Korean janë rritur ndjeshëm në dy vitet e fundit, me Korenë e Veriut që ka rritur numrin e testeve të raketave dhe ka ashpërsuar retorikën ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut. Pheniani gjithashtu ka intensifikuar bashkëpunimin ushtarak me Rusinë./UBTNews/