UBT News

Burri dënohet me vdekje pasi kontrabandoi kopje të “Squid Game” në Korenë e Veriut

Koreja e Veriut ka dënuar me vdekje një burrë që kontrabandonte dhe shiste kopje të serialit “Squid Game” pasi autoritetet kapën shtatë nxënës të shkollave të mesme duke parë shfaqjen, thanë burimet për RFA, përcjell UBT News.

Kontrabandisti thuhet se ka sjellë një kopje të shfaqjes në Korenë e Veriut nga Kina dhe ka shitur disqe USB që përmbajnë serinë. Sipas burimeve, dënimi i tij do të kryhet me pushkatim.

Një student që bleu serinë u dënua me burgim të përjetshëm, ndërsa gjashtë të tjerë që ndoqën shfaqjen janë dënuar me pesë vjet punë të rëndë, dhe mësuesit dhe administratorët e shkollave janë pushuar nga puna dhe përballen me dëbim për të punuar në miniera të largëta ose do të internohen në zonat rurale të vendit, sipas burimeve.

RFA raportoi javën e kaluar se kopjet e dramës së dhunshme kishin mbërritur në vendin e izoluar, pavarësisht përpjekjeve të shumta të autoriteteve për të mbajtur jashtë mediat e huaja.

Shfaqjen nxënësi e kishte parë në klasë me miqtë e tij më të mirë, sipas burimeve.

“Ata u kapën nga censorët në 109 Sangmu, të cilët kishin marrë një informatë” tha burimi, duke iu referuar forcës së qeverisë që është e specializuar në kapjen e vëzhguesve të paligjshëm të videove.

Arrestimi i shtatë studentëve shënon herën e parë që qeveria po zbaton ligjin për “Eleminimin e Mendimit dhe Kulturës Reaksionare”, në një rast që përfshin edhe të mitur.

Ligji, i shpallur vitin e kaluar, parashikon një dënim maksimal me vdekje për shikimin, mbajtjen ose shpërndarjen e mediave nga vendet kapitaliste, veçanërisht nga Koreja e Jugut dhe SHBA.

Një raport i Washington Post i gushtit 2019 dokumentoi se si disa media të Koresë së Jugut konsiderohen të rrezikshme nga autoritetet e Koresë së Veriut, sepse ato inkurajojnë njerëzit të arratisen.

Ai citoi gjithashtu një sondazh me 200 të arratisur nga Koreja e Veriut që jetonin në Korenë e Jugut, në të cilin 90 për qind thanë se konsumonin media të huaja ndërsa jetonin në Veri, 75 për qind thanë se njihnin dikë që ishte dënuar për këtë.

Squid Game është shfaqja më e ndjekur ndonjëherë e Netflix, e renditur e para në 94 vende dhe e parë në 142 milionë shtëpi në mbarë botën pas vetëm një muaji, sipas raportit të fitimeve të tremujorit të tretë të kompanisë./UBTNews/

Exit mobile version