Koreja e Jugut zgjati disa masa antiCOVID, përfshirë këtu distancën sociale edhe për dy javë të tjera ndërsa infeksionet me variantin Omicron po rriten.
Masat do të përfundonin të dielën, por kryeministri i Koresë së Jugut, Kim Boo-kyum, tha se zgjatja ishte e domosdoshme për të ngadalësuar përhapjen e variantit Omicron.
“Ngadalësimi i ritmit të përhapjes së Omicron, i cili po shkon drejt kulmit të tij ditë pas dite, është një përparësi në këto rrethana të vështira”, tha ai në një prononcim për media.
Numri i rasteve ditore është trefishuar në dy javët e fundit, por numri i rasteve të vdekjes është relativisht i vogël në vendin me shkallë të lartë të vaksinimit.
Koreja e Jugut raportoi 27 mijë e 443 raste të reja me COVID-19, si dhe 24 raste të vdekjes. Pothuajse 86% e popullsisë 52 milionë banorëshe u vaksinua plotësisht, ku 53.8% prej tyre edhe me doza përforcuese.
Në total, Koreja e Jugut ka regjistruar 934 mijë e 656 raste me COVID-19 dhe 6 mijë e 836 viktima./UBTNews