Hetuesit në Kore të Jugut kanë kërkuar zgjatje të urdhrit të arrestit për presidentin e pezulluar Yoon Suk Yeol, i cili pritet të skadojë të hënën. Yoon vazhdon të qëndrojë në rezidencën e tij presidenciale në Seul, pas përpjekjes së dështuar javën e kaluar për arrestimin e tij.
Agjencia e Hetimit për Korrupsionin e Zyrtarëve të Lartë (CIO) u përpoq të ekzekutojë urdhrin e arrestit të premten, pasi Yoon kishte shpërfillur tre thirrje për t’u marrë në pyetje në lidhje me tentativën e tij të dështuar për të shpallur ligjin ushtarak më 3 dhjetor. Pas përplasjes me sigurimin presidencial, agjencia anti-korrupsion kërkoi që policia të marrë përsipër përpjekjet për arrestimin e tij.
Përpjekjet e dështuara për të ndaluar presidentin Yoon kanë ngritur pikëpyetje mbi aftësitë e agjencisë anti-korrupsion. Me burime më të mëdha, policia mund të jetë në gjendje të ndërmarrë një qasje më të fortë për arrestimin e tij.
Avokatët e Yoon-it argumentojnë se urdhri i arrestit është i paligjshëm dhe pretendojnë se nuk ka baza juridike që agjencia të delegojë pjesë të procesit hetimor te një agjenci tjetër. Megjithatë, kundërshtimi i tyre ndaj urdhrave të arrestit u refuzua nga Gjykata e Qarkut Perëndimor të Seulit të dielën, duke i hapur rrugë rinovimit të përpjekjeve për arrestimin e presidentit të pezulluar./DW/