UBT News

Koordinatorja e Zyrës Ndërkombëtare në UBT, Lirigzona Morina është shpallur “Ambasadore e të rinjve për paqe” nga UPF dhe IAYSP

Koordinatorja e Zyrës Ndërkombëtare në UBT, Lirigzona Morina, është shpallur nga Federata Universale e Paqes dhe Shoqata Ndërkombëtare e të rinjve dhe studentëve për paqe, me titullin “Ambasadore e të rinjve për paqe”, për kontributin e saj ne promovimin e vlerave të paqes dhe prosperitetit.

Këtë vlerësim, koordinatorja Morina e mori për shembullin e treguar ndaj idealeve të harmonisë ndërkulturore, integritetit moral, altruizmit dhe promovimin e objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, duke kontribuuar në këtë mënyrë në një botë të unifikuar për paqe, e cila është shpresa e të gjitha epokave ku dimensionet shpirtërore dhe materiale të jetës harmonizohen dhe realizohet një kulturë paqeje.

UBT u përfaqësua nga koordinatorja e Zyrës Ndërkombëtare në UBT, Lirigzona Morina, në sesionin e organizuar nga Konferencën e Lidershipit Ballkanik, për ndërveprimin e të rinjve dhe të ardhmen e Ballkanit për paqe dhe drejt një të ardhme më të mirë.

Në fjalën e saj, koordinatorja e Zyrës Ndërkombëtare në UBT, Lirigzona Morina, ka thënë se Kosova ka një popullësi relativisht të re, dhe se ardhmja e vendit është në gjeneratat e reja, me të rinj profesionistë, duke e marrë për shembull UBT-në si institucion që ka për qëllim ngritjen profesionale të të rinjve dhe edukimin për paqe.

“Nëse duam të ndryshojmë shoqërinë tonë, ne duhet të punojmë në shkolla me mësuesit, studentët dhe nxënësit, në rritje të vetëdijesimit të shkollimit, si dhe në sigurimin e edukimit cilësor. Një shembull i pashoq është ai i UBT-së, ku atdhedashuria, humanizmi, dëshira e madhe e pasioni për edukim cilësor shtynë presidentin e këtij universiteti të linte pas Evropën dhe gjithçka që kishte, të kthehej në Kosovë dhe të krijonte një qendër të dijes, një institucion aq të madh siç është UBT, për të siguruar arsimim cilësor në shërbim të shoqërisë kosovare”, ka thënë ajo.

Konferenca e Lidershipit Ballkanik, këtë vit u mbajt në Prishtinë, me temën: “Paqja, Siguria dhe Zhvillimi në Ballkanin Perëndimor”, dhe u organizua nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Federata Universale e Paqes (UPF).

Exit mobile version