Snapchat, një nga platformat më të përdorura nga adoleshentët në Australi, ka nisur të përdorë softuerin e kompanisë me bazë në Singapor, k-ID, për të parandaluar përdorimin e aplikacionit nga fëmijët nën moshë.
Kjo kompani ofron teknologji për verifikimin e moshës për shërbime të ndryshme digjitale, përfshirë lojërat online dhe rrjetet sociale.
Në Snapchat, përdoruesve u shfaqet një kërkesë për të verifikuar moshën e tyre përmes disa metodave, ndër to edhe dërgimi i një selfie-je që analizohet nga softueri për të përcaktuar moshën.
Disa përdorues pretendojnë se kanë gjetur mënyra për ta anashkaluar këtë sistem, p.sh duke përdorur fotografi të personave më të rritur.
Drejtori i çështjeve korporative të k-ID, Luc Delaney, tha për BBC-në se verifikimi i moshës mbetet një “luftë e vazhdueshme” për kompanitë që merren me këto shërbime.
Ai thekson se softueri do të zhvillohet më tej me kalimin e kohës, sidomos pasi të zbulohen metoda të reja që përdoruesit përdorin për të mashtruar sistemin.
“Ne nuk i inkurajojmë njerëzit të përpiqen të tejkalojnë këto mekanizma, se përfundojnë të përjashtuar nga platforma”, shtoi Delaney. /A.Z/UBT News/
