Komisioni Europian nënshkroi një kontratë me Pfizer-BionTech për furnizimin prej 1,8 miliardë doza të vaksinës kundër COVID-19 dhe varianteve të tij për periudhën 2021-2023, njoftoi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe nga komisionerja për Shëndetësinë, Stella Kyriakides.
Kontrata e tretë e arritur me dy shoqëritë, sipas një vlerësimi të Komisionit, përcakton në veçanti se prodhimi i vaksinave bëhet brenda Bashkimit Europian dhe se përbërësit thelbësorë vijnë gjithashtu nga vendet e BE-së.
Për më tepër, duke filluar nga 2022, kontrata e re parashikon “furnizime të garantuara” për të shmangur surpriza të reja të pakëndshme në kohën e livrimit të dozave.
“Ky është një lajm i mirë për luftën afatgjatë të ndërmarrë për të mbrojtur qytetarët tanë nga virusi dhe variantet”, theksoi Von der Leyen.
“Pfizer-BioNTech ka luajtur një rol kyç në furnizimin e dozave të nevojshme për të vaksinuar 70% të popullsisë së rritur deri në korrik.
“Me këtë kontratë të gjeneratës së re, prodhimi dhe livrimi i 1,8 miliardë dozave të vaksinës antiCOVID-19 janë të garantuara”, theksoi presidentja e Komisionit Europian.
Çdo kontratë tjetër me kompanitë e tjera do të vazhdojë në të njëjtin model për përfitimet e të gjithëve.