UBT News

Kontrabandim me barna, arrestohet një oficer doganor

Njësitë e Doganës së Kosovës kanë arrestuar një zyrtar doganor dhe një person tjetër të dyshuar për kontrabandim të barnave.

Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, në orët e mbrëmjes, zyrtarët doganorë, pas dyshimeve kanë ndalur një veturë të dyshimtë për kontrabandë të mundshme të barërave. Pas ndalimit të automjetit është gjetur sasi e konsiderueshme e barërave në pjesën e bagazhit.

“Bazuar në indikacionet e mëtejme, zyrtarët doganorë hetues kanë arritur të mësojnë se personi në fjalë posedon edhe një depo të improvizuar private në një parking nëntokësore në Prishtinë. Duke vepruar mbi këto indikacione dhe në bashkëpunim dhe udhëheqje të Prokurorisë Themelore të Ferizajt, zyrtarët doganorë kanë hyrë në këtë depo, ku kanë gjetur stok të konsiderueshëm të barërave ilegale në sasi prej 17, 923 pako, 359 lloje te barnave”, njofton Dogana e Kosovës.

Bazuar në provat e gjetura dhe sipas urdhrit të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, është konstatuar dyshimi i arsyeshëm se zyrtari doganor në detyrë ka qenë i përfshirë në lejimin e kontrabandës. Me këtë rast, hetuesit e Doganës pas urdhrit nga Prokurori, kanë arrestuar zyrtarin doganor si dhe personin e dyshimtë, ndërsa barërat ilegale janë sekuestruar të gjitha.

Nga Prokuroria Themelore në Ferizaj njoftojnë se me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh./UBTNews

Exit mobile version