Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ftuar në një takim konsultativ krerët e partive politike për të diskutuar rreth rekomandimit të IKSHPK-së për shtyrjen e zgjedhjeve lokale.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Sh.S., Vjosa Osmani- Sadriu ju fton në takim konsultativ për ta diskutuar opinionin profesional dhe rekomandimin e Task Forcës së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës lidhur me ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike në vend”, thuhet në letrën që presidentja u ka dërguar partive politike.
Bekim Kupina, këshilltari për Media i presidentes ka konfirmuar se pjesëmarrjen në takimin e sotëm e kanë konfirmuar të gjitha partitë politike.
“Po të gjitha partitë kanë konfirmuar pjesëmarrjen”, ka thënë Kupina.
Se do të marrin pjesë në takim e ka konfirmuar edhe nga Partia Demokratike e Kosovës. Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu ka thënë se në takim do të shkoj kryetari Memli Krasniqi.
“PDK nuk i është shmangur asnjëherë takimeve institucionale dhe do të merr pjesë në takimin e të hënës. Të gjitha qëndrimet dhe propozimet e PDK, kryetari Memli Krasniqi do ti shfaqë në takim”, tha Abdullahu.
Ndryshe ditë më parë pjesëmarrjen në takim e ka konfirmuar edhe LVV. Sekretari për Media dhe Komunikim në Lëvizjen Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, kishte thënë për Telegrafin se po do të marrin pjesë.
Takimi do të mbahet sot, me fillimin nga ora 17:00 në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.