Eksperti për Kosovën, Konrad Clewing ka deklaruar se Beogradi po bën luftë hibride ndaj Kosovës. Ai, së fundmi, në një intervistë për Deutsche Welle ka thënë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq po e ripërdor Kosovën për të zbutur ose për të anashkaluar protestat e brendshme kundër tij.
“Mbetet për t’u parë nëse do t’ia dalë. Shqetësues është edhe fakti që Perëndimi kohët e fundit ka mbajtur qëndrim të njëanshëm, në anën e Serbisë, edhe pse forcat e NATO-s në veri të Kosovës (konkretisht në Zveçan) nuk u sulmuan vetëm nga përfaqësuesit e popullsisë lokale, por – edhe nga agjentët e shërbimit sekret serb dhe policia. Perëndimi heshti për një kohë për arrestimin e tre policëve kosovarë dhe deri tani nuk e ka dënuar ashpër këtë veprim”, ka thënë ai.
Clewing ka potencuar se nuk do të ketë “Republikë të KFOR-it në veri të vendit.
“Kjo është një përzgjedhje fjalësh që vjen nga imagjinata e fryrë e zotit Rama. Sigurisht, nuk do të ketë “Republikë të KFOR-it” në veri. Nuk mendoj se KFOR-i do të dëshironte të merrte përsipër një mision që është i dënuar të dështojë. KFOR-i nuk dëshiron të dërgojë aty mijëra ushtarë e të bllokohet duke u marrë me çështje të përditshme policore. Por do të ishte shumë e arsyeshme nëse prania ndërkombëtare në veri të Kosovës do të rritej, nëse EULEX-i dhe KFOR-i – ngjashëm me atë që ndodhi në Sllavoninë Lindore nga viti 1995 deri në 1998 – të marrë në dorë për një farë kohe administrimin e veriut të Kosovës. Kjo do t’i jepte fund vakumit të pushtetit në veri të Kosovës dhe nuk do të lejonte që Serbia ta mbushte atë. Kjo e fundit do të ishte e dëmshme jo vetëm për veriun e Kosovës, por mbi të gjitha për Kosovën në tërësi, sepse për momentin nuk mund të parashikohet se deri ku dëshiron të shkojë Serbia. Për një kohë të gjatë mendohej se ajo synonte vetëm veriun e Kosovës. Tani kam dyshime serioze për këtë”, ka thënë ai, duke treguar edhe shkaqet që e bëjnë të dyshojë.
“Ka shumë tregues që më bëjnë të dyshoj: Refuzimi që i bëri Vuçiqi nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe synimi i Serbisë për t’i dhënë formë autonomie Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Veç kësaj, prej më shumë se një viti qeveria serbe dhe mediat serbe që ajo kontrollon e kanë ashpërsuar thelbësisht retorikën e tyre. Nuk flitet më për të drejtat e serbëve, por për gjoja “terror” sistematik që po ushtrohet ndaj serbëve nga ana e autoriteteve të Kosovës. Edhe Kosova vetë po delegjitimohet sistematikisht: Qeveria e Beogradit dhe mediat e saj tani përdorin vazhdimisht termin “të ashtuquajturat” autoritete të Kosovës dhe Kosova rishkruhet në citime si “Kosova dhe Metohija” ose “KiM”. Këto janë terma tërësisht revizioniste dhe luftënxitëse. Dhe nga shkurti e këtej, pra, që kur u nënshkrua marrëveshja, kjo gjuhë sa ka ardhur e duke u përkeqësuar. Serbia përpiqet t’i anatemizojë në media përfaqësuesit e Kosovës në dialog, kështu që një konsumatori të mediave serbe mund t’i lindë pyetja se si mund të pretendosh të biesh dakord e të ulesh në biseda me kosovarët. Ekziston vetëm një arsye pse ky revizionizëm nuk ka shans të kthehet në luftë: Kjo është prania e KFOR-it. Por fakt është që Beogradi aktualisht po bën një luftë hibride”, ka thënë ai.
Ndërsa, për shtensionimin e situatës në veri të vendit, Clewing është shprehur se Perëndimi duhet të dërgojë sinjale të qarta politike në rajon. Ai ka thënë Kosova duhet të tregohet më pragmatike.
“Ndryshe nga sa thonë amerikanët javët e fundit, Kosova nuk duhet të dobësohet në perspektivën e saj euroatlantike, por të forcohet. Përveç Serbisë, nuk ka dyshim se edhe Kosova duhet të tregohet më pragmatike. Sidomos duke prezantuar një koncept realist për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ky koncept është urgjent jo vetëm për një shtensionim akut, por edhe si një gjest afatgjat ndaj minoritetit serb, do të stabilizionte statusin e Kosovës si shtet, por do të ishte edhe një investim në opinionin publik serb të së ardhmes, i cili përfaqësohet sot në protestat kundër qeverisë në Beograd”, është shprehur ai.
Kosova dhe Serbia janë pajtuar për marrëveshjen mes tyre më 27 shkurt në Bruksel dhe aneksin e zbatimit të saj më 18 mars në Ohër, në bazë të propozimit të Bashkimit Evropian.
Në bazë të kësaj ujdie është nënshkruar edhe deklarata për personat e zhdukur me forcë gjatë luftës së fundit në Kosovë, derisa palët kanë nisur diskutimet edhe për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Mirëpo, bartësit institucional të Kosovës vazhdimisht kanë kritikuar Serbinë për qasje destruktive në dialog dhe moszbatim të marrëveshjes, e cila sipas tyre është dëshmuar me votimin kundër të Serbisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin Evropës.
Në anën tjetër, tensionet në veri kanë nisur prej datës 26 maj, kur kryetarët e zgjedhur të katër komunave veriore kanë shkuar në objektet e komunale për të ushtruar detyrën e tyre, të asistuar nga Policia e Kosovës.
Në anën tjetër, tensionet në veri kanë nisur prej datës 26 maj, kur kryetarët e zgjedhur të katër komunave veriore kanë shkuar në objektet e komunale për të ushtruar detyrën e tyre, të asistuar nga Policia e Kosovës./KosovaPress
Në anën tjetër, tensionet në veri kanë nisur prej datës 26 maj, kur kryetarët e zgjedhur të katër komunave veriore kanë shkuar në objektet e komunale për të ushtruar detyrën e tyre, të asistuar nga Policia e Kosovës.