Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, shoqëruar nga deputetë, anëtarë të Grupit të Miqësisë me Turqinë, priti sot në takim një delegacion nga Oda Tregtare e Ankarasë (ATO), të kryesuar nga presidenti Gursel Baran.
Në takim, ndër të tjera, u bisedua për fuqizimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve tona.
Në komunikatë thuhet se kryetari Konjufca, pasi i njoftoi mysafirët në lidhje me infrastrukturën ligjore dhe mundësitë për investime në Kosovë, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit tregtar në fusha me interes për zhvillimin e ekonomisë së vendit dhe shprehu gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin ekonomik me Odën Tregtare të Ankarasë dhe shtetin mik të Turqisë. Ai po ashtu inkurajoi investimet e kompanive turke në sektorët e ndryshëm të ekonomisë së Kosovës.
Delegacioni turk falënderoi Kryetarin e Kuvendit për pritjen e ngrohtë dhe çmoi angazhimin e tij në nxitjen e marrëdhënieve të ndërsjella tregtare.
Kryetari i Kuvendit dhe kryetari i ATO-s, i cili shoqërohej nga nënkryetari, Halil Ibrahim Yilmaz, kryetari i Federatës Shqiptare, Hivzi Krusha, kryetari i Fondacionit Shqiptar për Kërkime Kulturore dhe Edukim i vendeve të Ballkanit dhe deputetë të Ankarasë, shprehën interesimin e dyanshëm për intensifikimin e bashkëpunimit të ndërsjellë të bizneseve me qëllim të avancimit të mëtejshëm të interesave të përbashkëta ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë.