UBT News

Konjufca takohet me Rau: E ardhmja e Kosovës është në BE

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Polonisë, njëkohësisht kryesues i OSBE-së, Zbigniew Rau.

Konjufca dhe Rau biseduan për intensifikimin e bashkëpunimit mes dy shteteve dhe angazhimin e Polonisë në rajon si kryesuese e OSBE-së.

U shkëmbyen mendime rreth punës së legjislativit, progresit që ka shënuar Kosova me ndërmarrjen e reformave në fushën e sundimit të ligjit, lirisë së shprehjes, demokracisë, sistemit zgjedhor dhe të drejtave të njeriut, si dhe bashkëpunimin e Kuvendit me misionin OSBE-së në Kosovë”, thuhet në komunikatën për media të Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i Kuvendit shprehu mirënjohje për mbështetjen e Polonisë dhe intensifikimin e bashkëpunimit, teksa ritheksoi se e ardhmja e Republikës së Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian.

Kryetari Konjufca dhe Rau shprehën gatishmërinë për të çuar më tej marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin mes Kosovës dhe Polonisë. Po ashtu, theksuan si çështje me rëndësi strategjike integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.

Në takim u vlerësua qëndrimi i Republikës së Kosovës kundrejt agresionit të Rusisë në Ukrainë.

Exit mobile version