Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka pritur në takim ambasadorin e ri jorezident të Kuvajtit në Kosovë, Faisal Al-Musaileem. Ata kanë diskutuar mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme.
Sipas njoftimit të Kuvendit, aty është theksuar gatishmëria për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, sidomos sa i përket hapësirës për zhvillim të mëtejshëm në investime dhe shkëmbime tregtare.
“Kryetari Konjufca uroi ambasadorin Al-Musaileem për detyrën e re dhe i shprehu mirënjohje për mbështetjen e Kuvajtit ndaj Republikës së Kosovës, për qasjen kontribuuese në sferën e politikës së jashtme, në veçanti për përkrahjen e aspiratave të shtetit tonë për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Ambasadori Al-Musaileem e falënderoi Kryetarin Konjufca për pritjen dhe tha se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Kuvajtit duhet të zhvillohen në të gjitha sferat, përfshirë edhe fushën parlamentare”, është theksuar në njoftim.