Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e ka konsideruar lajm të mirë ngritjen e aktakuzës ndaj 45 personave për sulmin terrorist në Banjskë, duke thënë se “më mirë vonë se kurrë”. Ai është shprehur se organeve të drejtësisë iu mbetet të merren me rastin dhe të përfshirët të dërgohen në bankën e drejtësisë.
“Pasi kjo çështje të bëhet objekt i drejtësisë, ne gjithë fokusim ta kemi në institucionet e drejtësisë. Duhet që kriminelët që ishin përgjegjës ku u vra rreshteri Afrim të dalin para bankave të drejtësisë”, ka thënë ai.
Sot Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave – në mesin e tyre edhe Millan Radoiçiq – për sulmin e armatosur në Banjskë.
Të përfshirët, sipas prokurorit të rastit, Naim Abazi, kanë pasur role të ndryshme brenda grupit të tyre kriminal, “duke filuar nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste deri te financimi dhe shpëlarja e parave”.
Më 24 shtator të vitit të kaluar, në Banjskë të Zveçanit – një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë policin hero Afrim Bunjaku.