Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se episodi i rrahjes së sotme në sallën plenare në Kuvend është ditë e rëndë për Kosovën.
Ai ka kërkuar nga të zgjedhurit e popullit dhe kabineti qeveritar të ruajnë qetësinë dhe të hapin një kapitull të ri, pas incidentit të sotëm.
Konjufca tha se kryeministri Albin Kurti ka hequr dorë nga fjala e tij në seancë me qëllim të uljes së tensioneve në Kuvend.
“Ne i kemi betejat tona, ne i kemi mosmarrëveshjet tona. Si forca politike i kemi papajtueshmëritë tona të thella ndonjëherë, por ato mospajtime gjithmonë, le të themi se i bëjnë nder vendit nëse i mbajmë në nivelin e funksionimit të domosdoshëm, minimumit normal të funksionimit të institucioneve demokratike që monitorohen prej qytetarëve por edhe botës së jashtme. Po iu bëj thirrje si kryetar i Kuvendit që të merrni me qetësi punën që e bëjmë së bashku dhe të përpiqemi të kalojmë këtë ditë të vështirë dhe momente të vështira për vendin tonë. Pra po iu thërras për një minimum të një sjellje që ma merr mendja që do t’i gëzonte qytetarët e Republikës sonë nëse e shohin. Ne nuk i kemi kursyer fjalët më të rënda për njëri-tjetrin, por prapë ato janë fjalë. Por në momentin kur kalohet nga fjalët në goditje, ato si veprime pastaj nuk janë veprime që trajnohen vetëm në Kuvend. Me ato pastaj është një pushtet tjetër i veçantë që merret. A është për deputetin si postin më fisnik e denjë një sjellje e tillë. Meqenëse është kështu, bisedova edhe me kryeministrin ai po heq dorë nga fjala e tij”, tha ai.
Konjufca shtoi se sjellje të tilla si të sotmet në Kuvend nuk dëshiron të përsëriten.
“Kemi pas probleme të natyrave të tjera, por jo në kuptimin fizik drejt fytyrës, kokës dhe trupave me ia mësyrë njëri-tjetrit siç e pamë sot në Kuvendin e Kosovës. Këtë nuk ia dëshirojmë askujt dhe kjo është një sjellje që natyrisht do të gjykohet prej qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe nuk do të kisha dëshiruar të përsëritet më në këtë Kuvend”, përfundoi ai.