Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca udhëton sot drejt Hagës ku do të takojë ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët do po qëndrojnë në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Para nisjes, ai i ka thënë se institucionet e vendit janë të brengosura me çka po ndodh atje ndërsa ka shtuar se qëllimi i kësaj vizite është të tregojë se po i përcjellin më vëmendje këto procese.
Glauk Konjufca po bëhet zyrtari i parë i lartë i shtetit që do të takojë të gjithë ish-krerët e UÇK-së në qendrën e paraburgimit në Hagë, përfshirë dy figurat kryesore të Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçin e Kadri Veselin. Ai ka konfirmuar udhëtimin në Hagë dhe takimin me ata që ai i ka quajtur figurat kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që sipas tij, po gjykohen padrejtësisht.
Konjufca ka kritikuar mbajtjen e tyre në paraburgim për gati dy vjet derisa procesi gjyqësor nuk po fillon.
“Po bëhen gati dy vite prej kur ata janë marrë, faktikisht janë bërë dy vite prej kur ka dalë aktakuza sepse në qershor të vitit 2020 e pamë aktakuzën për herë të parë, e deri tash ende nuk ka filluar procesi gjyqësor. Në terma të gjykatave dhe proceseve ku kemi të bëjmë me të pandehurit, kjo mund të quhet lirisht njëfarë tendence e izolimit të personave, pra izolim që ata të mos mund të jenë me familjet e tyre, që të mos mund të jenë në vendin e tyre dhe të jenë të shkëputur prej aktivitetit të tyre publik që e kanë pasur faktikisht. Kjo është për mendimin tim shumë shqetësuese, edhe institucionet tona për këtë arsye janë të brengosura me çka po ndodh atje”, ka thënë Konjufca.
Me vizitën e tij në Hagë, Konjufca po synon të tregojë që institucionet e Kosovës janë afër këtij procesi.
“Qëllimi i kësaj vizite është po ashtu të tregojmë që institucionet tona janë afër këtij procesi, po e përcjellin me vëmendje, po ashtu kemi kritikat tona se si po funksionon kjo gjykatë, ka shumë defekte të cilat i kanë identifikuar të gjithë, pra ajo e drejta bazike që për mendimin tim po shkelet në procesin e tyre, është një drejtë e cila garantohet edhe me konventën evropiane të të drejtave të njeriut, ajo është edhe në Kushtetutë të Kosovës, e sipas kësaj konvente e cila është më e rëndësishme për vet Bashkimin Evropian, dhe për këtë familje të madhe demokratike të vlerave, është e drejta e individit që kur është brenda një procesi gjyqësor ta konsumojë këtë kohë brenda një afati sa më të arsyeshëm të mundshëm, këtë nuk po e shohim në Gjykatën Speciale”, ka thënë kryetari i Kuvendit.
Konjufca është pyetur nëse krejt këto kritika do t’i adresojë edhe para institucionit të Dhomave të Specializuara por ai ka bërë të ditur se gjatë kësaj vizitë nuk do të ketë takime të tjera përveç me krerët e UÇK-së.
“Jo kësaj radhe do t’i takojë vetëm të gjithë ata pjesëtarë të rëndësishëm të Shtabit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen padrejtësisht atje. Të gjithë do t’i takojë”, ka përfunduar Konjufca.
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës kishte zhvilluar vizitë edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu por atë nuk kishin pranuar ta takojnë ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi po qëndrojnë në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020 dhe procesi gjyqësor ndaj tyre ende nuk ka filluar.
Ndaj tyre rëndojnë akuza për krime lufte ndërsa në deklarimet e tyre para gjykatësit të procedurës paraprake ata janë deklaruar të pafajshëm.