Me rastin e 22-vjetorit të masakrës në Tusus, kryeparlamentari i Kosovës Glauk Konjufca, nënkryetari i Komunës së Prizrenit Visar Shehu, drejtorët komunalë dhe përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta, sot kanë bërë homazhe në Sheshin e Martirëve të Tususit.
Me këtë rast, ai deklaroi se masakra në Tusus është një nga masakrat më të tmerrshme që ushtria serbe ka kryer në Kosovë, ku janë masakruar 27 persona dhe është vënë në zjarr e gjithë lagjja, pikërisht pse ishte njëra prej bazave më të forta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai theksoi se Kuvendi i Kosovës, para një muaj ka ndryshuar ligjin dhe tanimë kriminelët serbë edhe pse janë në Serbi, gjykimi i tyre do të mund të bëhet pa pjesëmarrjen e tyre në gjykim.
“Institucionet e reja të vendit duhet të punojnë më shumë që të shpaloset identiteti i atyre që kanë kryer masakra dhe të kërkohet nga bashkësia ndërkombëtare gjetja dhe gjykimi i tyre“, tha Konjufca.
Nënkryetari i Prizrenit Visar Shehu, theksoi se kriminelët serbë sa më parë duhet të vihen para drejtësisë, në mënyrë që familjeve të lagjes Tusus, t’i lehtësohet dhimbja sadopak.
Ndërkaq drejtori i Drejtorisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Islam Thaqi, theksoi se familjet e të masakruarve të kësaj lagje, tanimë i posedojnë të gjitha dokumentet dhe faktet e nevojshme të duhura për fillimin e procedurave të kërkimit të drejtësisë.
Kujtojmë se sot janë mbushur 22 vjet nga masakra në Tusus, tash lagjja e Trimave në Prizren.
Dëshmitarë që mbijetuan masakrën, kanë thënë se në këtë operacion të përgjakshëm janë përfshirë forcat speciale të policisë, në koordinim me formacione të përziera paramilitare serbe, të cilat kishin të veshur uniforma kamuflazhi të gjelbra, një pjesë e tyre mbanin maska në fytyrë, ndërsa të tjerët kishin të lidhur shamia në kokë.
Ata me brutalitet u futën shtëpi më shtëpi, dhe në këtë operacion plaçkitën, dogjën e shkrumbuan 245 shtëpi të lagjes. Njësitë kriminale serbe, i ndanin burrat nga gratë dhe fëmijët dhe pa mëshirë i ekzekutuan 25 meshkuj të moshave të ndryshme.
Ky krim ka mbetur ende i pandëshkuar nga drejtësia./UBTNews