Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka kërkuar që Kosova dhe Shqipëria të jenë brenda një kornize sa i përket qasjes ndaj Serbisë.
Kryeparlamentari Konjufca gjatë vizitës në Tiranë, theksoi se Kosova nuk ka rrugë tjetër, veçse t’i mbrojë interesat e veta shtetërore ndaj Serbisë. Ai tha se janë për paqe dhe dialog me Serbinë, por nuk do të lëshojnë pe sa i përket interesave kushtetuese, nacionale të panegociueshme të Kosovës.
“Republika e Kosovës e ka një proces të vështirë përpara, i cili është relacioni me shtetin serb. Serbia e Aleksandër Vuçiçit nuk ka ndryshuar në drejtim politik, por vetëm ka ndryshuar mjetet prej kohës së Millosheviçit. Serbia, duhet të dijë çdo shqiptarë se është shumë armiqësore ndaj Kosovës, këtë nuk e kemi zgjedhur ne, por elita udhëheqëse shtetërore serbe, e cila mohon pavarësisë dhe lufton atë me çdo mjet që e ka në dorë. Tash së fundmi, kur po bëheshin përpjekjet për realizimi e marrëveshjes së dokumenteve, presidenti serb, Vuçiq nuk heziton fare për të sfiduar kornizën e sigurisë në Ballkan dhe Evropë, përmes kërcënimit të Kosovës dhe dërgimit të trupave të armatosur brenda territorit të Kosovës. Ne dëshirojmë gjithmonë që me Shqipërinë të jemi brenda një kornize dhe frekuencave të njëjta sa i përket gjykimit të veprimtarisë së Serbisë në Kosovë dhe brenda saj. Republika e Kosovës nuk ka rrugë tjetër veçse të mbrojë interesat e veta shtetërore karshi Serbisë. Ne jemi për paqe dhe dialog me Serbinë, mirëpo të njëjtën kohë, ne nuk do të lëshojmë pe sa i përket interesave kushtetuese, nacionale të panegociueshme të Kosovës”, tha ai.
Pasi nënshkroi memorandumin për zgjerim të bashkëpunimit mes Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë, Konjufca tha se interesat e kombit shqiptar janë të përbashkëta.
Ai në konferencën për medie, së bashku me homologen e tij, Lindita Nikolla, duke falënderuar shtetin shqiptar për përkrahjen ndaj Kosovës në politikën e jashtme, tha se pritjes për liberalizim të vizave po i vjen fundi.
“Lobimi juaj i pandalshëm për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Përpjekje këto që mund të them se po japin rezultatet e para, meqenëse pas deklaratës shumë shpresëdhënëse të Gjermanisë, së bashku me Francën, qytetarët e Kosovës nuk e kanë më asnjë dyshim se fundi i vitit do të gjejë Kosovën dhe qytetarët e saj vërtet me heqjen e këtij regjimi të padrejtë vetëm ndaj qytetarëve tanë për vizat”, shtoi Konjufca.
Nga ana tjetër, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, tha se vlerësojnë qëndrimet e matura dhe korrekte të institucioneve të Kosovës në progresin në arenën ndërkombëtare, vazhdimin e dialogut me Serbinë.
“Kuvendi i Shqipërisë vlerëson qëndrimet e matura dhe korrekte të Kuvendit, Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës në progresin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, vazhdimin e dialogut me Serbinë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe ShBA-së. Përshëndetëm marrëveshjen për lëvizjen e lirë mes Kosovës dhe Serbisë si një hap premtues drejt vijimit të dialogut, po ashtu mbështesim edhe vlerësojmë avancimin e reformave euro integruese dhe gjitha arritjet e Kosovës në planin e brendshëm dhe atë të jashtëm. Shqipëria ka bërë dhe do të vazhdojë të bëjë gjitha përpjekjet dhe shfrytëzojë gjitha hapësirat që të arrihet sa më shpejt liberalizimi i vizave me Kosovën”, tha ajo.
Nikolla potencoi edhe nevojën e një rishikimi thelbësor nga Këshilli i Evropës të raportit të ish-anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dick Marty.
Ajo tha se rezolutën e miratuar nga legjislativi në Shqipëri për pagabueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri, me këtë qëllim e kanë dërguar në KiE.
“Teksti i rezolutës është përcjellur zyrtarisht Këshillit të Evropës dhe kemi kërkuar asamblesë parlamentare të KiE-së të rishikojë rezolutën të vitit 2011. Të shpallen të pabazuara akuzat për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë luftës çlirimtare të Kosovës. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës të hartojë një raport vijues dhe një rishikim thelbësor të rezolutës”, theksoi ai.
Krahas këtyre, dy kryetarët thanë se kanë diskutuar edhe për organizimin e mbledhjes së përbashkët, e cila do të jetë në vigjilje të 28 nëntorit.