Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se të gjithë popujt demokratik duhet të jenë sa më të bashkuar në vitet e ardhshme në mënyrë që të tejkalohen krizat të cilat do të jenë si pasojë e invazionit të Rusisë në Ukrainë.
Në takim me një delegacion afaristësh nga Gjermania, ai ka thënë se Kosova e sheh shtetin gjerman si partner shumë të rëndësishëm.
“Lufta për shkak të invazionit të tmerrshëm të Rusisë po tregon që në vitet e ardhshme e gjithë bota do të përballet me një krizë e cila do ta prek edhe vendin tonë por edhe çdo vend të botës, sidomos… të energjisë dhe gazit për shkak të përpjekjes së Evropës, përpjekjes shumë të drejtë për t’u shkëputur njëherë e përgjithmonë prej burimeve ruse të energjisë, do të ketë impakt në ekonominë botërore por kjo është një rrugë të cilën do ta kalojmë të gjithë së bashku”, ka thënë ai.
Ai para delegacionit gjerman tha se është e domosdoshme që vendet demokratike duhet të punojnë së bashku në organizimin e ekonomisë, duke i lidhur interesat ekonomike sa më shumë.
“Më shumë se kurrë po bëhet imperativ që bota demokratike do të funksionojë gjithnjë e më shumë si një familje. Të gjitha shtetet, të gjithë popujt, unë kam qejf më shumë me fol për popujt, të gjithë popujt që janë të përcaktuar për demokraci, demokracia si bazë e organizmit të shoqërisë, duhet të jenë sa më afër njeri-tjetrit në vitet e ardhshme, do të jetë e imponuese do të jetë e domosdoshme të jemi sa më afër njëri-tjetrit dhe në këtë aspekt, edhe në organizimin e ekonomisë duhet t’i lidhim interesat tona ekonomike po ashtu sa më shumë”, ka thënë ai.
Kryekuvendari foli edhe për papunësinë në Kosovë, për çka tha mbetet i domosdoshëm absorbimi i investimeve.
“Papunësia në Kosovë gjithmonë tradicionalisht ka pasur një përqindje goxha të lartë, mendoj që Kosova me siguri qe e ka pasur papunësinë tradicionalisht më të lartën prej vendeve të rajonit, pikërisht për ketë arsye edhe migrimi është shumë i madh. Është ekzistenciale për neve, është e domsdoshme për neve si popull që me kriju vende të punës në Kosovë. Dhe për me arrit këtë mendoj që është i domosdoshëm absorbimi i investimeve në vendin tonë, prandaj ju shohim si partner shumë të rëndësishëm”, ka thënë Konjufca.
Ai ka thënë se përmes legjislacionit mund të kontribuohet në ardhjen e investitorëve duke shtuar se si mund edhe të ndryshohet në mënyrë që kjo të realizohet.
Konjufca ka thënë se janë të vetëdijshëm që aspekt esencial për zhvillimin ekonomik janë investimet e jashtme dhe sipas tij mund te ndryshohet edhe legjislacioni në mënyre që të mundësohet ardhja e investitorëve.
Konjufca ka thënë se mërgata më e madhe e Kosovës është në Gjermani dhe ka shtuar se një pjesë e madhe e popullit të Kosovës ka gjetur strehim në shtetin gjerman në kohën e okupimit të Serbisë.