Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, u ka shprehur ngushëllime Mbretit Charles III dhe anëtarëve të tjerë të Familjes Mbretërore për vdekjen e Mbretëreshës Elizabeta II.
“Ajo ishte një model i mrekullueshëm përkushtimi në shërbim të popullit gjatë gjithë jetës. Në kujdesin dhe kontributin e saj ishte edhe vendi ynë, Kosova. Do ta kujtojmë më mall personalitetin e saj të mahnitshëm, punën e palodhur dhe shërbimin besnik. I dërgojmë ngushëllimet tona më të përzemërta djalit të saj, Mbretit Çarlsit të Tretë, Familjes Mbretërore, popullit të Mbretërisë së Bashkuar dhe mbarë Komonuelthit”, ka shkruar Konjufca.
Shkrimi i plotë:
Jemi thellësisht të pikëlluar kur mësuam për ndarjen nga jeta të Lartmadhërisë së saj – Elizabetës së Dytë, Mbretëreshë e Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore.
Ajo ia kushtoi tërë jetën e saj shërbimit publik me integritet dhe udhëheqje për shtatë dekada me radhë.
Përkushtimi, udhëheqja dhe trashëgimia që ajo la në Mbretërinë e Bashkuar dhe në mbarë botën, do të frymëzojnë edhe brezat që do të vijnë. Vlerat për të cilat ajo u angazhua ishin ndër vlerat më të larta njerëzore: dinjiteti, uniteti, respekti, puna e palodhshme dhe dhembshuria.
Ajo ishte një model i mrekullueshëm përkushtimi në shërbim të popullit gjatë gjithë jetës. Në kujdesin dhe kontributin e saj ishte edhe vendi ynë, Kosova. Do ta kujtojmë më mall personalitetin e saj të mahnitshëm, punën e palodhur dhe shërbimin besnik.
I dërgojmë ngushëllimet tona më të përzemërta djalit të saj, Mbretit Çarlsit të Tretë, Familjes Mbretërore, popullit të Mbretërisë së Bashkuar dhe mbarë Komonuelthit.
Faleminderit Mbretëreshë dhe u prehsh në paqen e Perëndisë.