Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca së bashku me këshilltarët, ka pritur sot në takim presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta me të cilin ka biseduar për intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, zhvillimet në rajon dhe procesin e integrimit drejt BE-së.
Kreu i Kuvendit falënderoi presidentin Meta për kontributin e madh të shtetit shqiptar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe përkrahjen e vazhdueshme në proceset e saj të shtetndërtimit.
Me këtë rast, kryetari Konjufca përsëriti qëndrimin se shteti i Kosovës është i hapur për bashkëpunim rajonal, por vetëm mbi bazën e barazisë, reciprocitetit dhe përfshirjes së BE-së.
“Për Republikën e Kosovës janë të papranueshme iniciativat e Serbisë, sikur i ashtuquajturi “Ballkani i Hapur”, që synojnë të anashkalojnë Procesin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor dhe BE-në. E ardhmja e shtetit tonë dhe e rajonit është në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, tha Konjufca.
Presidenti Meta konfirmoi zotimin se Shqipëria ka qenë dhe do të jetë gjithmonë në mbështetje të Kosovës.
Kryetari Konjufca dhe presidenti Meta ritheksuan nevojën e bashkëpunimit intensiv dhe bashkërendimit më të ngushtë të politikave zyrtare të Kosovës dhe Shqipërisë në të ardhmen.