UBT News

Konjufca: Mesiq, mik i sinqertë i Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga këshilltarët, ka pritur sot në takim ish-presidentin e Republikës së Kroacisë, Stipe Mesiq, i cili shoqërohej nga ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, si dhe bashkëpunëtorët.

Kryetari Konjufca i uroi mirëseardhje në vendin tonë z. Mesiq, duke e cilësuar si mik të sinqertë i cili ka shprehur gjithmonë përkrahjen e tij për Kosovën. Ai i shprehu gjithashtu mirënjohje Kroacisë mike për mbështetjen e gjithanshme që i ka dhënë vendit tonë.

“Dy vendet tona, si partnerë strategjikë, kanë marrëdhënie të forta miqësie dhe bashkëpunimi në shumë fusha me interes të përbashkët, përfshirë edhe atë të legjislativit”, vuri në pah Konjufca.

Sipas kryetarit Konjufca, Kroacia ishte dhe do të jetë edhe më tutje mbështetëse e fuqishme e Kosovës në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian dhe në strukturat euroatlantike.

Ai njëherësh e falënderoi ish-presidentin kroat për kontributin e tij të pazëvendësueshëm në shtetndërtimin e vendit tonë dhe rikujtoi se gjatë presidencës së z. Mesiq, Republika e Kroacisë e njohu pavarësinë e Kosovës, duke krijuar marrëdhënie të shkëlqyeshme të miqësisë dhe bashkëpunimit. “Jeni gjithmonë i mirëpritur dhe Kosovën mund ta konsideroni si shtëpinë tuaj”, u shpreh kryetari Konjufca.

Ish-presidenti kroat dhe autori i librit “Si është rrënuar Jugosllavia”, Stipe Mesiq, pasi falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen e përzemërt, riktheu në kujtesë ngjarjet që çuan në shpërbërjen e Jugosllavisë dhe përballjet e tij për Kosovën me kryekriminelin Sllobodan Millosheviq.

“Jugosllavia ka mundur të shpërbëhet pa luftë, por politika shoviniste e Millosheviqit ishte ajo që iu shkaktoi tragjedi popujve joserbë në këto hapësira. Ai mendonte se do të arrinte ta gënjente botën për “të drejtën serbe”, por gënjeu veten dhe serbët. Serbët vazhdojnë ta urrejnë Millosheviqin jo pse shkaktoi gjithë ato luftëra të përgjakshme, por pse i humbi ato”, tha ndër të tjera zMesiq, duke premtuar se do të vazhdojë të jetë zë i fuqishëm i kudondodhur në përkrahje të aspiratave integruese të Republikës së Kosovës.

Nga ana e tij, ish-presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi e uroi me këtë rast Konjufca për detyrën e re në krye të Kuvendit dhe tha se e konsideron privilegj vizitën në Kosovë me mikun e tij dhe të të gjithë shqiptarëve, Mesiq. 

Exit mobile version