UBT News

Konjufca komenton sondazhet: Do të ketë garë të ashpër për numrin dy në skenën politike

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka folur mbi sondazhet e ndryshme mbi zgjedhjet e ardhshme në Kosovë. Ndonëse sipas vitit kalendarik, zgjedhjet e rregullta parlamentare e lokale do të mbahen vitin e ardhshëm, vazhdimisht ka sondazhe të ndryshme mbi atë se kush do të fitojë në këto zgjedhje.

Konjufca ka thënë se janë vetë partitë politike, ato të cilat po i porositin këto sondazhe. Sipas tij, në zgjedhjet e ardhshme do të ketë një betejë të fortë për vendin e dytë duke aluduar se Lëvizja Vetëvendosje do të jetë fituese.

“Sa i përket rezultatit të zgjedhjeve, çka me thanë, sondazhet janë opinioni publik, por hulumtohet vazhdimisht edhe prej organizatave të ndryshme, edhe prej partive politike të cilat vetë po i porositin këto sondazhe. Rezultatet janë të qarta. Unë mendoj që do të jetë një garë shumë të ashpër për numrin dy në skenën politike të Kosovës”, tha Konjufca.

Ai ka komentuar edhe koalicionin parazgjedhor AAK-NISMA, i paralajmëruar për sot. Konjufca tha se koalicionet nuk janë ndonjë befasi pasi që ato kanë ndodhur edhe në të kaluarën dhe se AAK ka qenë edhe më herët në koalicion me NISMA.

“Koalicionet kanë ndodhur në Kosovë edhe në të kaluarën gjithmonë. Po ndodhin edhe tash. Nuk është ndonjë befasi. Aleanca ka qenë edhe më herët në një koalicion me NISMA-n, po ndodh sërish”, u shpreh ai.

Këto deklarata Konjufca i bëri pas përkujtimit të heroit Kadri Zeka në Prishtinë.

Exit mobile version