Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë mbledhur sërish të martën për të vazhduar debatin parlamentar për 100 ditëshin e Qeverisë Kurti.
Me të nisur seanca plenare filluan edhe përplasjet ndërmjet mazhorancës dhe opozitës. Mes diskutimeve, u përfshi edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili ironizoi për identifikimin me “keqqeverisjen” e kaluar.
Ishte deputeti Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, pyeti opozitën, por pa përmendur emër, se a është më mirë për të qenë praktikant i qeverisjes së mirë apo veteran i keqqeverisjes dhe korrupsionit.
Më pas reaguan deputetët nga PDK të cilët kërkuan fjalën për replikë, por kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se deputeti Uka s’ka përmend emrin e asnjë partie, por nëse ndonjë prej partive identifikohet me keqqeverisjen mund ta marrë fjalën.
“Pse në emër të PDK-së, nuk e ka përmend fare. E ka përmend keqqeverisjen, s’po besoj që ju identifikoni me keqqeverisjen”, shtoi Konjufca.
Në reagimin e tij, deputeti Bekim Haxhiu tha se janë krenarë me të kaluarën e PDK-së në qeverisje.
“Sa i përket të kaluarës, shikoni deputetët e PDK-së, çdo njëri është krenar me të kaluarën e vet. Qoftë para luftës, qoftë gjatë luftës dhe pas saj”, tha ai.
Këtë reagim e quajti të çuditshëm deputeti i LVV-së, Fitim Uka, i cili tha se është për keqardhje që keqqeverisja ka zëdhënës të saj.
“Personalisht fola për keqqeverisjen, por është e çuditshme se sa herë flitet për keqqeverisjen këtu ka disa zëdhënës të saj”, tha Uka.