Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, deklaroi sot se Zahiri, Hakifi dhe Edmondi ishin kolosët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët përmes aksioneve të tyre tmerruan forcat policore serbe, andaj është i rëndësisë së veçantë nderimi dhe përkujtimi i tyre nga institucionet e Kosovës.
Ai këto komente i bëri gjatë homazheve pranë lapidarëve të heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Edmond Hoxha dhe Ilir Konushefci në Orllan dhe Podujevë, në 27-vjetorin e rënies së tyre heroike.
Konjufca theksoi se Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha përmes aksioneve të suksesshme guerile bënë që çdo polic edhe çdo ushtar i Serbisë okupatore në Kosovë të mos ndihej i sigurt. Ai tha se heroizmi e tyre ishte një arritje e madhe, duke ngritur kështu moralin e të rinjve dhe të rejave, për t’iu bashkuar luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deri në çlirim.
“Kjo është një arritje shumë e madhe, sepse e ngriti shumë moralin tonë popullor dhe e rriti gatishmërinë e vullnetin për qytetarët tanë, për të rinjtë dhe të rejat për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, lufta e lavdishme e së cilës çoi në çlirimin e Kosovës dhe në shporrjen e Serbisë okupatore nga trojet tona. Zahiri, Hakifi, Edmondi, Iliri dhe të gjithë dëshmorët e kombit tonë do të kujtohen përgjithmonë nga institucionet dhe populli ynë”, tha Konjufca.