Kuvendi i Kosovës ka mbajtur sot një seancë solemne në nderim të rënies së komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra dhe 315 dëshmorëve dhe martirëve të rënë më 30 prill 1999 në Drenicë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se heroi Ilaz Kodra është ndër figurat më emblematike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila i përket bërthamës themeluese të kësaj ushtrie të lavdishme në krye me komandantin legjendar, Adem Jashari.
“Heroi Ilaz Kodra, është ndër figurat më emblematike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila i përket bërthamës themeluese të kësaj ushtrie të lavdishme në krye me komandantin legjendar, Adem Jashari. I rritur e i formësuar në frymën kombëtare e patriotike që në rininë e tij, Ilaz Kodra nuk kishte asnjë iluzion se Kosova mund të çlirohej nga Serbia pa luftë të armatosur. Prandaj, pikërisht për këtë arsye u bashkua me Adem Jasharin, Hamës Jasharin, Zahir Pajazitin e të tjerë në Njësitin e parë ushtarak që ishte bërthama e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky grup patriotësh që i përkasin kronikës më të lavdishme të historisë tonë, e panë të parët lirinë e Kosovës, prandaj sakrifikuan çdo gjë që këtë liri ta shoh e të gëzojë i gjithë populli ynë. E sot ne u falem me nderim që e dhënë jetën dhe sakrifikuan për çlirimin e Kosovës nga Serbia”, theksoi ai.
Kryeparlamentari Konjufca theksoi se Serbia e donte Kosovën pa shqiptarë, prandaj sipas tij, lufta e saj ishte gjenocidale.
“Kontributi i komandantit Ilaz Kodra për organizimin dhe strukturimin e luftës çlirimtare është i hershëm sikurse pjesëmarrja e tij në luftë e nëpër shumë aksione të pandalshme deri kur ra në altarin e lirisë më 30 prill të vitit 1999 në mbrojtje të popullatës civile, e cila po sulmohej nga të gjitha anët nëpër fshatrat e Drenicës… Serbia nuk i kurseu civilët, ata gjithmonë ishin caku i saj, sepse Serbia e donte Kosovën pa shqiptar. Prandaj, lufta e saj ishte gjenocidale, sepse ajo vrau fëmijë, gra e pleq. Gjaku I këtyre të pafajshmëve kurrë nuk do të falet dhe kurrë nuk do të harrohet nga ne, por do ta kujtojmë Serbinë si kriminale dhe gjenocidale, e cila ende nuk është penduar dhe nuk e ka ndryshuar orientimin dhe kursin e saj politik”, tha ai.
Më 30 prill janë bërë 25 vjet nga rënia heroike e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodra, i cili ka qenë pjesë e celulave të para të UÇK-së dhe pjesëmarrës i të gjitha luftërave në Drenicë dhe rrethinë. Ilaz Ismajl Kodra u lind më 3 maj 1966 në lagjen Kodra të Prekazit.