UBT News

Konjufca: Gjykata Kushtetuese thekson përgjegjësinë e përbashkët për konstituimin e Kuvendit

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, dhe kandidatja e kësaj partie për kryetar të Kuvendit, Albulena Haxhiu, mbajtën sot një konferencë për media, një ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që detyron deputetët të përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditësh.

Konjufca theksoi se sipas interpretimit të VV-së, aktgjykimi i Gjykatës i jep të drejtë fituesit të zgjedhjeve për të propozuar kryetarin e Kuvendit. Megjithatë, kjo nuk u mirëprit nga partitë opozitare, të cilat kanë pasur një qasje bllokuese.

Ai shtoi se VV ka ndërmarrë disa hapa për të lehtësuar konstituimin e Kuvendit, përfshirë ftesën drejtuar kryetarëve të subjekteve politike për dialog.

“Gjykata Kushtetuese na dha të drejtë dhe thekson se bllokada nuk mund të ndodhë vetëm në çështjen e kryetarit të Kuvendit, por është përgjegjësi e të gjithë deputetëve që ta konstituojnë Kuvendin pa vonesa,” tha Konjufca.

Ai përfundoi duke nënvizuar se konstituimi i Kuvendit është përgjegjësi e të gjithë deputetëve, jo vetëm e grupit parlamentar që ka dalë i pari në zgjedhje.

Exit mobile version