Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në seancën që po mbahet në nder të 25-vjetorit të çlirimit të vendit, ka thënë se 12 qershori i vitit 1999 është dita e rikthimit të shpresës për popullin e Kosovës.
Konjufca tha se janë të panumërta viktimat shqiptare si rezultat i krimeve dhe keqtrajtimeve nga regjimet okupuese të Serbisë, duke shtuar se këto regjime kishin një synim të vetëm e që ishte shfarosja e një populli të tërë nga territori. Ai tha se krimet e Serbisë ishin aq të llahtarshme sa që morën përmasën e gjenocidit.
“12 qershori i vitit 1999 është dita e rikthimit të shpresës për popullin e Kosovës. Pas gati një shekulli nën sundimin serb, Kosova u çlirua. Të shumta janë padrejtësitë, diskriminimet, segrenimet, keqtrajtimet, burgosjet, krimet që u ushtruan mbi popullin shqiptar nga regjimet okupuese të Serbisë. Të panumërta janë viktimat shqiptare të këtyre regjimeve që u mbështeten në programet sistematike, historike e politike të shtetit serb që e kishin vetëm një synim, e ky ishte shfarosja e një populli të tërë nga territori dhe përmes krimeve të llahtarshme. Këto krime të Serbisë e morën përmasën e gjenocidit. Për ne Serbia e njëjtë pavarësisht a u quajt dikur mbretëri jugosllave, ose pastaj jugosllavi federative asocialiste”, tha Konjufca.
I pari i Kuvendit tha se duke festuar 12 qershorin është nevojshme të reflektohet mbi të kaluarën e vështire të popullit tonë, pasi sipas tij, kështu nuk harrohet e vërteta.
Konjufca gjithashtu shtoi se Dita e Çlirimit do të festohet si dita e fitores së drejtësisë mbi padrejtësinë dhe dita e fitores së humanizmit mbi fashizmin.
“Kur e kremtojmë 12 qershorin, Ditën e Çlirimit, e kemi domosdoshmëri etike që të reflektojmë mbi historinë se ajo ka qenë për popullin tonë vërtetë e vështirë. Prandaj ta kujtojmë të shkuarën e të mos e harrojmë të vërtetën nuk do të thotë të mos e duam paqen edhe pajtimin, por për ne gjithmonë e shohim pajtimin vetëm si rezultat të drejtësisë. Ne kujtojmë dhe do të kujtojmë gjithmonë sepse duam që padrejtësia dhe pushtimi të mos përsëriten kurrë më. 12 qershorin do ta festojmë si ngadhënjim mbi të keqen, si ditë të fitores të drejtësisë mbi padrejtësinë, lirisë mbi robërinë, të çlirimit mbi shtypjen dhe të humanizmit mbi fashizmin”, tha Konjufca.