Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se dinari dhe përdorimi i tij është dashur të ndërpriten që nga koha kur Serbia është larguar nga Kosova në vitin 1999.
Në një konferencë për media pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, Konjufca tha se dinari ka qenë gjithmonë ilegal, por që ai është përdorur në forma të ndryshme prej institucioneve paralele.
Ai gjithashtu tha se vendimi për ndalimin e dinarit ka qenë i BQK-së dhe se ndërhyrja në vendime të institucioneve të pavarura do të ishte e dëmshme për rendin kushtetues të Kosovës.
“Dinari dhe shfrytëzimi i tij është dashur që të ndërprehet që kur Serbia është larguar nga Kosova, pas luftës clirimtare dhe bombardimeve të NAT0-s në qershor të vitit 1999. Por prej vitit 2011 askush nuk ka dyshim që edhe me vetrregullimin institucional të Republikës së Kosovës dhe me rregulloren e ligjet tona, dinari ka qenë gjithmonë ilegal, tjetër gjë që pastaj në forma dhe mënyra të ndryshme është shfrytëzuar dhe është përdorur prej institucioneve paralele që i ka pasur Serbia këtu në Republikën e Kosovës dhe që i ka keqpërdorur ato”, tha Konjufca.
Kurse, i pytetur në lidhje me shqetësimet e ShBA-së për vendimin, Konjufca tha se ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, i ka shprehur shqetësimet se mund të ketë trazira në veri të vendit, por që sipas kryekuvendarit, të gjithë ata që tentojnë t’i keqpërdorin vendimet e ligjshme, do të përballen me sundim të ligjit.
“Shqetësimi është që mund të ketë turbulenca për shkak të këtij vendimi në pjesën e veriut të Kosovës. Ne sigurojmë që kjo nuk do të ndodh, ne jemi institucione që të sigurojmë që kjo nuk do të ndodh dhe që siguria do t’i ofrohet të gjithëve e po ashtu edhe që do të përballen me sundim të ligjit të gjithë ata që mundohen t’i keqpërdorin vendimet e ligjshme të Republikës së Kosovës për të shkaktuar trazira të cilat janë të paligjshme në Republikën e Kosovës. Çdo veprim i tillë do të përballet me sundimin e ligjit, do të përballet me organet e sigurisë dhe kjo nuk do të lejojmë që të ndodh. Pra situata nuk del prej kontrollit pse dinari është hequr nga përdorimi, si valutë e transaksioneve dhe pagesave në Republikën e Kosovës”, theksoi Konjufca.