Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për administrimin e procedurave tatimore. Legjislativi dritën e gjelbër ia dha edhe Projektligjit për parqet industriale dhe teknologjike, derisa nuk pati kuorum për miratimin në lexim të dytë të Projektligjit për kadastër të pronës së paluajtshme. Për këtë të fundit deputetët opozitarë kërkuan që të rikthehet sërish për shqyrtim në qeveri.
Gjatë seancës së sotme nuk kaloi as mocioni i pushtetit për të futur në rend dite rekomandimin e Komisionit për Legjislacion për shkarkimin e Agron Bekës nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).
Duke qenë që vetëm deputetët e pushtetit po merrnin pjesë në votim dhe në momente të caktuara deputetë të tyre ishin jashtë sallës plenare, kryetari duke ironizuar e kërcënoi mazhorancën të tregoj se a i ka numrat, se ndryshe e mbyll seancën plenare.
“I lutem mazhorancës të tregojë më shpejtë a i keni numrat, se unë e di pastaj çka bëj, për një sekond iu çoj në shtëpi”, tha ai.
Aktualisht Kuvendi është duke shqyrtuar Projektligjin për promovimin e përdorimit të burimeve të ripërtërishme të energjisë.